Grenelli, “i izoluar” në Berlin

E përjavshmja gjermane, “Der Spiegel”, në një analizë të gjatë në 11 janarin e vitit të kaluar, e përshkruante qysh në mbititull Richard Grenellin si ambasador “të izoluar” në Berlin.

Në versionin anglisht të “Der Spiegelit”, në shkrimin “Ambasadori i Trumpit gjen pak miq në Gjermani”, autori Konstantin von Hammerstein shkruante se prej ardhjes së tij në krye të përfaqësisë diplomatike amerikane në Gjermani, ai “nuk ka përfillur konventat diplomatike dhe u përpoq të përzihej në punë politikën e brendshme. Prej atëherë, ai është izoluar politikisht në kryeqytetin gjerman”, vlerësohej në nëntitullin e “Der Spiegelit”.

Grenell, i cili ndërmjetësoi marrëveshjet për bashkëpunim në komunikacionin ajror, rrugor dhe hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është emëruar sot nga president Donald Trump ushtrues i detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, nën ombrellën e së cilës veprojnë shtatëmbëdhjetë agjenci amerikane të spiunazhit.

Prestigjiozja amerikane, “New York Times”, ka vlerësuar të enjten se Trumpi ia ka besuar një post të lartë të inteligjencës kombëtare “një lojalisti” të tij. Trump kaherë është përplasur me drejtuesit e inteligjencës amerikane, shkruan NYT.

“Duke e emëruar zotin Grenell, i cili ka pak përvojë në inteligjencë ose në drejtimin e burokracisë së madhe, presidenti ka sinjalizuar se dëshiron një lider të besueshëm dhe agresiv në krye të komunitetit të inteligjencës, që kaherë e ka shikuar me dyshim dhe nganjëherë është përplasur me të”, shkruan NYT në lajmin e ilustruar me një fotografi të Grenellit gjatë vizitave të fundit në Kosovë.

Grenelli, i cili u takua me kryeministrin Albin Kurti pas zgjedhjes së tij, nxiti spekulime të shumta pasi u raportua se refuzoi të takohej me të edhe në Munih gjatë Konferencës së përvitshme të Sigurisë në qytetin e Gjermanisë jugore. Aty u takua me Thaçin, në prani të të cilit dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dëgjohej teksa inkurajonte mbi kokë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë të nënshkruanin letrat e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në komunikacionin hekurudhor dhe rrugor.

Grenelli është takuar disa herë me presidentin Hashim Thaçi, i cili ka mbetur i izoluar në Kosovë në idenë e tij për “korrigjim kufijsh” me Serbinë, pa i dhënë fare territor Serbisë, sikur se pretendon ai. Ndryshe raportojnë mediat perëndimore. Gjermania, ku ishte ambasador Grenelli, ishte njëri prej shteteve më të vendosura evropiane kundër ndarjes eventuale të Kosovës për t’i hapur udhë marrëveshjes eventuale të njohjes së Kosovës nga Serbia, transmeton Koha.net.

Grenelli kishte bërë deklarata publike që kishin nxitur disa zyrtarë gjermanë të konsideronin se ai po ndërhynte në çështje të brendshme qeveritare të Republikës Federale të Gjermanisë, shkruan “New York Times”, duke e vlerësuar si “një ndërhyrje të jashtëzakonshme në punët e brendshme që në raste tipike i shmangin diplomatët”.

“Ai sulmoi ato që i quante politika ‘të dështuara’ të kufijve të hapur në Gjermani, me të cilat u hapën dyert qindra mija refugjatëve sirianë, dhe kritikoi qëndrimet e Berlinit ndaj Iranit, politikat për shpenzimet ushtarake dhe investimin kinez në rrjetet botërore të telefonisë. Ai ka shprehur gjithashtu vendosmëri për të fuqizuar konservatorët në mbarë Evropën”, shkruan “New York Times”.

“Unë absolutisht dua që të fuqizoj konservatorët e tjerë në mbarë Evropën, liderët e tjerë”, kishte deklaruar Grenell për “Breitbart”, uebfaqes i së djathtës ekstreme gjatë një interviste pas mbërritjes në Gjermani. Ai mendonte se kishte terren të përshtatshëm për ardhjen të konservatorëve për shkak “të politikave të dështuara të së majtës”.

”Der Spiegel” ndërkaq citonte në shkrimin e fillimvitit të kaluar se Grenell pretendonte se kushdo që bënte thirrje për sigurimin e kufijve në Gjermani, përballet me “reagim të tepruar”.

“Ky diskurs, thoshte ai, po kontrollohet me të madhe prej ‘elitave në Berlin’ dhe argumentonte se kushdo që flet haptazi për çështjen, rrezikon të portretizohet si pjesë e ‘së djathtës ekstreme radikale’ nga mediat gjermane”.