Grenell ua shuan shpresat VV-së dhe LDK-së: S’jam këtu për koalicion! Trump, personalisht i fokusuar në marrëveshjen Kosovë – Serbi

I Dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell është duke pasur një darkë pune me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Grenell është pyetur nga gazetarët se pas marrëveshjes për linjen ajrore Prishtinë – Beograd, cili do të jetë hapi i radhës i SHBA-ve dhe pyetja tjetër ka qenë nëse ai është në Kosovë ta ndihmojë formimin e qeverisë.

Grenell ka qenë i shkurtë në pyetjen e dytë duke u përgjigjur në mënyrë eksplicite me: “Jo, nuk jam”.

Më tutje, ai është shprehur se Trump ka qenë i fokusuar personalisht në zgjidhjen e problemit të linjës ajrore por ai ka theksuar gjithashtu se është në interesin e SHBA-ve që Kosova dhe Serbia të rriten ekonomikisht.

“Presidenti Trump ka qenë i fokusuar për zgjidhjen e këtij problem, jo që të kemi gjithmonë politikat dhe argumentet e vjetra. Ne duam të përmirësojmë marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Është e nevojshme të fokusohemi tek njerëzit, t’iu japim punë, atyre që e meritojnë. Njerëzit në Kosovë meritojnë punë dhe të ardhme të ndritshme dhe unë po mundohem t’i zgjedh të gjitha problemet që kanë ngecur dhe që kanë impakt ekonomik”, tha Grenell.

Grenell është shprehur se bizneset në Amerikë dhe Evropë duan të investojnë në këtë rajon por është e pamundur të ndodh në kushtet e tanishme politike.

Më tutje ai është shprehur se njerëzit e të dy vendeve meritojë ekonomi më të mirë dhe në këtë mënyrë ata nuk do të ishin të fokusuar në politikën midis Kosovës dhe Serbisë.

“Unë dua t’iu them Kosovës dhe Serbisë që të krijojnë vende për njerëzit. Ka disa ide që duhet t’i shtyjmë përpara që këto shtete të zhvillohen ekonomikisht. Presidenti Trump ka qenë i fokusuar në rritjen ekonomisë në këto vende, sepse kur njerëzit janë të kënaqur me punët e tyre, problemet politike pakësohen, sepse ata janë të kënaqur me jetën e tyre”, tha Grenell.