Grenell: Taksa të hiqet, pastaj Amerika e vazhdon bashkëpunimin me Kosovën

Emisari  i Presidentit Amerikan në bisedimet Kosovë –Serbi Richard Grenell,në një intervistë ekskluzive për Emisionin Pressing të T7 duke folur rreth raporteve me qeverinë e re që pritet të krijohet në Kosovë pas mocionit të mosbesimit ka insistuar që qeveria e re duhet ta heq taksën.

“Shikoni, ne nuk do të përfshihemi në politikë. Populli i Kosovës do ta zgjedhë qeverinë e vet, ata do ta zgjedhin udhëheqësin e vet, por Shtetet e Bashkuara do t’i zgjedhin politikat e veta dhe politika jonë është shumë e qëndrueshme, pavarësisht kush është në detyrë. Taksa duhet të hiqet, sepse ne besojmë se taksa 100 për qind që e ka Kosova është duke e dëmtuar ekonominë tuaj” ka nënviuar ai.

Tutje ai ka potencuar se SHBA po përpiqet  ta ndihmojë Kosovën, ta ndihmojnë Serbinë, tërë rajonin, për ta krijuar një zonë apo rajon që ka vende pune dhe shpresë për të rinjtë në mënyrë që ata të qëndrojnë në rajon dhe të kenë vende pune cilësore, të rriten familjet e tyre dhe ato familje të kenë mirëqenie duke dhënë edhe një herë të njëjtën porosi.

“Taksa të hiqet dhe pastaj ne mund të bashkëpunojmë në rrugë të gjera” thotë Grenell.