Grenell për tensionet në veri: Bidenin nuk e informuan

Ish-emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, anëtari i Partisë Republikane në ShBA, Richard Grenell, ka thënë se ka informata brenda Shtëpisë së Bardhë, bazuar në të cilat, presidenti Joe Biden ende është i pa njoftuar për zhvillimet në Kosovë.

Duke cituar një zyrtar brenda Këshillit për Siguri Nacionale të Shtëpisë së Bardhë (NSC), Grenell tha se edhe shefi i NSC-së, Jake Sullivan, nuk është i interesuar të trajtojë ngjarjet e tensionuara të cilat ngjanë të dielën në veri.

Sipas Grenellit, vetëm disa zyrtarë të nivelit të ulët në Shtëpinë e Bardhë janë duke e trajtuar situatën në veri të Kosovës.

“Një zyrtar karriere i Zyrës së Këshillit për Siguri Kombëtare (NSC), sapo më tha që Joe Biden nuk është informuar ende për zhvillimet Kosovë-Serbi dhe Jake Sullivan nuk ka kohë për t’u angazhuar plotësisht në këto zhvillime – kështu që ai po e lë trajtimin e kësaj çështje në dorë të nivelit më të ulët të zyrtarëve”, tha Grenell.

Menaxhimin e situatës në veri të Kosovës, Grenell e quajti “një tjetër gabim” të administratës së Joe Biden.