Greiçevci: Kosovarët kundërshtojnë dialogun aktual, kërkojnë përmbylljen e procesit

Labinot Greiçevci, drejtori i Institutit RIDEA, ka deklaruar se kosovarët janë të lodhur nga procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se duan të arrijnë në një marrëveshje përfundimtare.

Sipas Greiçevcit, këto janë të gjeturat të dala nga hulumtimi i realizuar nga RIDEA, i cili ka bërë matjet e perceptimit të qytetarëve të Kosovës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, me ç’rast janë paraqitur edhe tre skenarët potencialë për epilogun e procesit te dialogimit.

“Këta skenarë nuk është se i kemi shpikur. Është vazhdimësi e një pune dyvjeçare. Kemi zhvilluar rreth 150 intervista me persona vendimmarrës ku i kemi identifikuar tre skenarë. Pastaj këto tre skenarë kemi filluar t’i testojmë me qytetarët”.

“Numri i qytetarëve që nuk e përkrahin dialogun është rritur. Mirëpo, numri i atyre njerëzve që deklarohen kundër vazhdimit të dialogut në të njëjtën kohë nuk janë për vazhdimin e status-quo”.

“Një gjë e tillë reflekton edhe faktin se këta qytetarë që janë kundër kërkojnë diçka që është finale që e përmbyllë këtë proces, e jo të jetë proces i pandalshëm që vazhdon”.

“Numri i atyre që janë kundër dialogut nuk janë detyrimisht kundër marrëveshjes, por janë lodhur nga një dialog që ka nisur në vitin 2011 dhe nuk ka rezultuar me ndonjë rezultat” ka deklaruar Greiçevci në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.

Një nga skenarët që është paraqitur në këtë hulumtim është edhe krijimi i Asociacionit me Kompetenca Ekzekutive, për të cilin numri i serbëve të Kosovës që pajtohen fuqimisht me këtë skenar ka pësuar rritje brenda pesë muajsh (krahasuar me hulumtimin e RIDEA-s të realizuar në dhjetor të 2018-ës).

“Serbët në jug të Kosovës dhe pjesën qendrore preferojnë më shumë Asociacionin me Kompetenca Ekzekutive, ndërsa serbët ne pjesën veriore thjesht nuk merakosen për asociacionin sepse kanë synime edhe qëllime tjera” tha Greiçevci.

Ndërsa sa i përket shqiptarëve ai tha se ata ia kanë frikën krijimit të një ‘mini-republike serbe’, që sipas tij është reale ngase “nëse do të ketë një Asociacion me Kompetenca Ekzekutive do të jete nukleusi i një mini-republika srpska”.

Skenari i tretë, që flet për idenë e korrigjimit të kufijve, ka treguar rritje në vlera minimale në mbështetjen e kësaj ideje.

Gjetje tjetër e këtij studimi është edhe ulja e besimit në Bashkimin Evropian në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne rënien e besimit tek BE-ja ka ndikuar edhe përçarja. BE-ja nuk është në gjendje të flasë me një zë. Nuk ka politikë të përbashkët sa i përket marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe njerëzit nuk mund t’i besojnë një organizate që nuk ka politikë konsistente sa i përket marrëveshjes Kosovë-Serbi”.

Ndërsa sa i përket besimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas Greiçevcit, e vetmja mëmyrë për të arritur tek një marrëveshje përfundimtare është me angazhim me të madh të SHBA-ve në procesin e dialogut.

Ndërsa kosovarët ende me shumicë vazhdojnë të pajtohen me idenë e bashkimit me Shqipërinë, sipas hulumtimit të RIDEA-s.

“Tre faktorë ndikojnë në rritjen e preferencës për bashkimin me Shqipërinë. E para është se është çështje relativisht hipotetike. Se a mund të ndodhë apo jo, nuk është se mund të dihet qysh sot – bindjet e njerëzve mund të jenë dinamike dhe lëvizëse. Së dyti kur flasim për raportet Kosovë-Shqipëri njerëzit në përgjithësi janë emocional, dhe se treti kur këto dyja bëhen bashkë ka ndjeshmëri dhe jostabilitet që lidhet me ëndrrën e shqiptarëve para se të projektohej shteti i Kosovës”.

“Kryesisht pjesa e njerëzve që janë mbi moshën 45 vjeçare janë ata që janë në favor të kësaj ideje”.