grafite

“Grave sigurojuni punë, jo subvencione të riprodhimit”, shkruhen grafite në disa institucione

Disa grafite janë shkruar sot në muret e ndërtesave tek Inspektorati i Punës, Ministria e Financave dhe Transfereve dhe ATK-ja.

Këto grafite janë shkruar nga organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, pas raportimeve se 1500 shtatzëna janë larguar nga puna gjatë vitit 2021.

Sipas kësaj organizate, këto shifra shpërfaqin dhunën sistematike ndaj grave dhe thërret për revoltë të grave punëtore.

“Dhuna ekonomike ndaj grave e cila veç sa është duke u shtuar përgjatë pandemisë, për fajtorë ka të gjitha insitutcionet publike. Ato në vend të mbrojtjes së punëtoreve/ëve, po rreshtohen në anën e privatnikut. Largimi nga puna i 1500 grave shtatëzëna nga puna përgjatë vitit 2021është veç alarm i cili po tregon për shtypjen e shumëfishtë që grave iu bëhet në tregun e punës. E ky alarm përveç shparfaqjes së dhunës sistemike ndaj grave, thërret në organizim e revoltë të grave punëtore, me apo pa kontratë pune. Nga çdo hapësirë, ne i themi shtetit që ne duam punë, siguri e mirëqenie, jo subvencionim të riprodhimit”, thuhet në komunikatën e organizatës.

Kujtojmë se kjo organizatë grafite të tilla ka provuar të shkruaj mbrëmë në ndërtesën e Qeverisë por është penguar nga Policia e Kosovës.