GGD

Gratë deputete falënderojnë Vasfijen, kërkojnë që policët t’i nënshtrohen vettingut

Grupi i Grave Deputete ka reaguar me rastin paraqitjes publike të Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale nga forcat serbe në prill të vitit 1999.

“Grupi i Grave Deputete falënderon Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale nga forcat serbe në prill të vitit 1999, e cila pak ditë më parë doli të foli publikisht për të.

Ajo bëri thirrje për ‘’mbrojtje dhe drejtësi’’ për të gjitha.

Rasti i shkrimit të mediave për një polic i cili ishte aktiv me uniformë, e i cili dyshohet se mund të jetë njëri nga dhunuesit, ka shkaktuar revoltë dhe indinjatë të thellë tek qytetarët.

Ne e dimë se marrëveshja e Brukselit ka obliguar që një numër i madh i strukturave paralele, madje edhe rojat e Urës ne Mitrovicë, të integrohen në Policinë e Kosovës dhe në strukturat e tjera të Sigurisë së Kosovës, pa pasur ndonjë verifikim paraprak nga AKI.

Siguria e qytetarëve si atyre që janë shumicë shqiptare, si atyre nga minoritetet është tejet e brishtë ku brenda policisë ka policë të dyshuar për krime të rënda siç është rasti konkret. Është momenti i fundit që policët e Kosovës, të pranuar me marrëveshje politike të i nënshtrohen një Vettingu për verifikimin e të kaluarës së tyre kriminale”, thuhet në reagimin e GGD-së.