Veri

Grafite të reja në Leposaviq, Policia nis hetimet

Në orët e para të së enjtes, janë zbuluar disa grafite në Leposaviq. Për këtë njoftoi Policia e Kosovës e cila i cilësoi ato si kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Televizioni ka qëndruar gjatë ditës në këtë komunë ku janë parë ende prezente veturat e KFOR-it në oborrin e Komunës.

“Mos u shqetësoni, ne jemi këtu për t’iu mbrojtur”.

Mëngjesin e së enjtes, qytetarët e Leposaviqit u zgjuan nën shoqërinë e këtyre grafiteve.

“Rruga në të cilën u vendos ky grafit në Komunën e Leposaviqit është shumë e frekuentuar nga qytetarët. Banorët e këtushëm nuk pranuan të flasin para kamerës duke thënë se nuk e dijnë kush i bëri ato”

E ky veprim shqetësoi edhe Policinë e Kosovës, ku u njoftua se tashmë kanë filluar hetimet dhe se rasti është cilësuar si veprim kundër rendit të Republikës së Kosovës.

“Njësitet policore gjatë patrullimit në muret e disa shtëpive kanë zbuluar disa grafitë të shkruara me përmbajtjen kundër rendit të Republikës së Kosovës. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet nga ekipet përkatëse të hetuesit”.

Derisa mbishkrime të tilla nacionaliste po paraqiten në pjesë të ndryshme të qytetit, para objektit komunal ende vazhdojnë të qëndrojnë rrethojat e sigurisë.

Bashkë me to, janë edhe disa vetura të KFOR-it që po përkujdesen për mbarëvajtjen e rendit aty, tash e tre muaj.

Po ashtu, përgjatë kësaj periudhe ende po vazhdon të qëndrojë brenda objektit komunal, kryetari Lulzim Hetemi.

Teksa, tashmë është parë një shtensionim i situatës në këtë pjesë të vendit ku serbët lokalë nuk janë parë të protestojnë dhe se lëvizja e qytetarëve këtu po bëhet lirshëm.

Ndryshe, organizata “Brigada e Veriut” e shpallur nga qeveria e Kosovës si terroriste që dyshohet se qëndron prapa këtyre grafiteve, ditëve të fundit ka shpeshtuar kërcënimet ndaj kryeministrit, Albin Kurti por edhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.