Gorilla që u bë sensacion mbarëbotëror, ngordh e mbërthyer në krahët e njeriut që e shpëtoi

Një gorilla e cila u bë sensacion mbarëbotëror pasi pozoi me një rojtar parku, ka ngordhur në krahët e ‘mikut të saj gjatë gjithë jetës’, e cili e shpëtoi atë kur lindi.

Ajo u fotografua duke marrë frymën e fundit ndërsa mbahej nga kujdestari i saj Andre Bauma, 49 vjeç, në parkun kombëtare Virunga në Kongon lindore.

Ndakasi, e cila vdiq në moshën 14 vjeç, u shpëtua nga roja kur ajo ishte vetëm dymuajshe pasi e gjetën të kapur pas trupit të pajetë të nënës së saj, e cila ishte vrarë.

Ajo më vonë u transferua në Qendrën Senkwekwe të parkut me një gorillë jetime, ku çifti u bë i famshëm në internet kur u shfaqën në një selfie me rojtarin e parkut Mathieu Shamavu në 2019.

Por pas më shumë se një dekade kujdesi në Qendrën Senkwekwe, gorilla ‘e dashur’ vdiq pas një ‘sëmundjeje të zgjatur në të cilën gjendja e saj u përkeqësua me shpejtësi’, thuhej në një deklaratë nga parku.

Ndakasi vdiq më 26 shtator në krahët e Bauma, i cili, 14 vjet më parë, e kishte mbajtur gorillën si një foshnjë pranë tij, duke e mbajtur trupin e saj të vogël fort pranë gjoksit të tij për ngrohtësi dhe rehati, pasi ajo u shpëtua.

Në fotografinë e frymës së fundit të Ndakasit, gorilla shihet duke e mbështetur kokën në gjoksin e Baumas ndërsa ai e mban atë.

“Ishte një privilegj të mbështesja dhe të kujdesesha për një krijesë të tillë të dashur, veçanërisht duke ditur traumat që Ndakasi pësoi në një moshë shumë të re”, tha Bauma.

Ai shtoi: “Ishte natyra e ëmbël dhe inteligjenca e Ndakasi që më ndihmoi të kuptoja lidhjen midis njerëzve dhe majmunëve të mëdhenj dhe pse ne duhet të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t’i mbrojtur ata”.

“Jam krenar që e kam quajtur Ndakasin miken time. Unë e doja atë si një fëmijë dhe personaliteti i saj gazmor më sillte një buzëqeshje në fytyrë sa herë që bashkëveproja me të. Ajo do të na mungojë të gjithëve në Virunga, por ne jemi përgjithmonë mirënjohës për pasurinë që Ndakasi na solli në jetën tonë gjatë kohës së saj në Senkwekwe”, tha ai, shkruan Dailymail, transmeton Klankosova.tv.