Gorani: Shfaqja e “Non-Papers” shenjë që jemi afruar fundit të dialogut Kosovë-Serbi

Analisti politik, Dukagjin Gorani, ka komentuar shfaqjen e dy dokumenteve jozyrtare diplomatike lidhur me epilogun përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi.

Gorani në Rubikon në Klan Kosova tha se me anë të këtyre dy dokumenteve po bëhet e ditur se “loja” është duke përfunduar.

“Këtu shihet qartë shpejtësia me të cilën diplomacia ndërkombëtare e angazhuar në Kosovë, e ka ndërmend për ta përfunduar këtë proces. Mendoj që shpejtësia e veprimit edhe tendenca përmbyllëse janë dy kontekste të cilat duhet t’i nxjerrim nga diskutimet e këtyre ditëve”.

“Shpejtë ka filluar edhe është duke na u thënë se kësaj radhe bëhet fjalë për përmbyllje. Pra nuk bëhet fjalë për rifillim. Nuk bëhet fjalë as për vazhdim. Bëhet fjalë për gjetjen e përmbylljes”.

“Pikërisht qito “Non Paper-s”, tregojnë që ne i jemi afruar fundit të lojës. Unë kur e kam këtë non-paper të shkruar sot që është shumë më i strukturuar se i pari, unë e pashë prej një fjalië të këtij gjysmë dokumenti që burimi është diku në afërsi të Beogradit”.

Ai theksoi se në këto dokumente nuk flitet për njohjen si akt por ky term është i reduktuar.

“Kur bëhet fjala për njohjë kjo reduktohet në lejimin e Kosovës të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare. Nuk flitet për qartazi për njohjen si akt. Po ma shumë folet për një njohje implicite. Kjo shihet se kushdo që e ka bërë këtë dokument e ka lëshuar si ballon”.

“Këto dokumente nuk do të kenë rëndësi. Por, është një shpërfaqje është një shenjë, një “ogur” se ti je duke shkuar në Bruksel me e përmbyll këtë proces”.

Sipas tij me anë të “Non Paper” bëhen të ditura kornizat e vazhdimit të negociatave.

“Të dy komuniteteve dhe të dy shteteve po u bëhet me dije dy skenare gati fëminore. “O ke me shkëmby territor ose ke me u pajtu me autonomi në kontekstin regjionalist evropian”.

“Qëllimi strategjik i këtyre dy dokumenteve është që të u tregojë dy shoqërive se çka ju pret nëse nuk shkojnë në negociata. Pra, duhet të gjendet një mes edhe për dokumentin e parë dhe për dokumentin e dytë.Këto jonë kornizat brenda së cilat do të zhvillohet dialogu”.

Dukagjin Gorani tha se në Bruksel ngadalë do të bëhet kumtimi i së vërtetës.

“Sot kryeministri është nisur për në Bruksel apo do të niset dhe atje do të nis gradualisht kumtimi i së vërtetës”.