Gorani: Ndoshta na plotësohet dëshira për t’u përfshirë në një konflikt të armatosur

Analisti Dukagjin Gorani ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk heq dorë nga zbatimi i vendimit për targat pas 31 tetorit, ekziston mundësia që Kosova të përfshihet në një konflikt të armatosur.

Ai ka thënë se një përplasje e tillë është e evitueshme, por sipas tij, deri në këtë ditë, ai nuk ka parë një veprim konkret.

“Kjo do të duhej të ishte e evitueshme, po nëse s’ka vullnet për evitim, ndoshta na plotësohet dëshira për t’u përfshirë në një konflikt të armatosur, sepse tash e sa muaj dëgjoj fjala qysh ne kemi ushtri, polici, ne duhet me shku atje dhe me vendos atje dhe me iu tregu që jemi shtet. Pra ndoshta të gjitha këto fjalë e fraza, edhe pak ditë kanë me u realizu, ndoshta përime, dhe ka me ndodh ajo. Qysh e si, nuk jam i mësuar me mendu andej. Një plan i kësaj qeverie ndoshta ekziston”, ka deklaruar Gorani në Pressing të T7.

Gorani ka thënë në veri mund ketë barrikada e të shtëna.

“Mirëpo, situata aktuale sonte, nuk po më jep me pa cfarë ndodh pas të hënës. Tash, munet me ndodh edhe konflikt, mundet me pasë barrikada, mundet policia e Kosovës me shku atje me i heqë barrikadat, mundet ndoshta me ndërhy edhe KFOR-i, mundet me pasë edhe të shtëna sporadike”, ka thënë ai.

Ndërsa, nëse qeveria vendos ta shtyjë vendimin, ai ka thënë se e di çfarë ndodh.

“E di çfarë ndodh nëse qeveria thotë po e shtyjmë për një kohë dhe ta shikojë nga aspekti racional, në këtë version e di çka ndodh”, ka deklaruar ai.

Gorani ka thënë se qeveria sipas bazës ligjore mund ta nis zbatimin e vendimit, të konfiskojë veturat që nuk ndryshojnë targat, por ai ka pyetur se i ka kapacitetet e nevojshme të sigurisë që të garantohet zbatimi i sigurt i këtij vendimi.