Gola nuk ia ka idenë se çka ka folë Mimoza Kusari për pagat e grevistëve

Kryetari i Komisionit për arsim, Ardian Gola, nuk është në dijeni lidhur me deklaratat e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, partisë ku edhe është deputet zoti Gola, lidhur me mos-ekzekutimin e pagavë për grevistët në arsim.

Periskopi ka pyetur Gola, për të marrë një mendim nga ai, duke qenë se ishte edhe mjaft aktiv në përpjekje për zgjidhjen e problemit të grevës deri sot, por i njëjti na thotë se ‘nuk i komenton deklaratat e shefes së Grupit Parlamentar’ dhe se ai ‘iu referohet vetëm deklaratave të ministrit (Hekuran Murati)”.

“Cila është deklarata se nuk e di ma s’pari, nuk e kam pa deklaratën  Nuk mundem me i komentu komentet e shefes së grupit parlamentar”, tha Gola për Periskopin.

Por, duke qenë nga ajo që dihet deri tani, se mësuesve nuk iu kanë dalë pagat e muajit të kaluar – meqë ishin në grevë, Periskopi ia kujtoi z.Gola se nga ajo që dihet publikisht, pagat nuk janë ekzekutuar, por ai na tha:

“Unë duhet me këqyrë a janë ekzekutu apo jo pagat, nëse jo, unë krijoj një qëndrim dhe ta artikuloj një mendim, pa problem, po tash nuk mundem se nuk e di a ka naj zhvillim a jo sepse nuk e di që ka zhvillime të tilla, më duhet me pasë informata fillimisht”.

Gola tha se do të flasë vetëm pas konsultave me ministrin dhe do ta shohë – se nëse nuk ka ndodhur një gjë e tillë (ekzekutimi i pagave) se ku është problemi – duke përmendur këtu që ‘ndoshta është te ligji’.

“Nuk e di a ka ndodhë ma s’pari ekzekutimi i pagave apo jo, unë informohem prej ministrit. E këqyri e ves ministrin a ka ndodhë ekzekutimi apo jo, a ka arsye për këtë, apo është çështje e zbatimit të ligjit se ndoshta nuk ka mundësi të tjera, kështu që unë kqyri”, ka thënë Gola.