Derisa drejtorët e pesë shkollave të Gjilanit po presin që kryetari Alban Hyseni t’ua nënshkruajë vazhdimin e kontratave të punës, ashtu siç ka rekomanduar Inspektorati i Ministrisë së Arsimit, kreu i komunës ka një plan tjetër.
I pyetur nga Kiksi, Hyseni tha se ata do të ndryshojnë drejtorët e shkollave, pasi që sipas tij shkollat e Gjilanit kanë nevojë për rifreskim. Hyseni nuk e përfill vlerësimin e Inspektorëve të MAShTI-t, e as atë të komisionit të DKA-së për t’ua vazhduar kontratat e punës drejtorëve aktualë të shkollave.
Sipas tij, vlerësimi i tyre është sipërfaqësor. Numri një i Gjilanit nuk u përgjigj në pyetjen nëse është keqpërdorim i buxhetit komunal fakti që këta drejtorë po vazhdojnë të paguhen pa kontrata pune.
Sa i përket rastit të drejtoreshës Sevdije Sadiku, Hyseni thotë se është e drejta ekskluzive e komunës transferimi i përkohshëm i drejtorëve të shkollave dhe në vendimin për transferimin e saj nuk ka shkelje ligjore.
Por, kështu nuk mendon opozita e Gjilanit. Nga Partia Demokratike e Kosovës, i kanë thënë Kiksit, se Hyseni ka nxjerrë vendim të kundërligjshëm.
PDK akuzon Hysenin se këtë po e bën në mënyrë që në pozita të larta t’i rehatojë njerëzit e tij dhe të kushtëzojë politikisht zyrtaret që t’i bashkohen Vetëvendosjes.
Me qeverisjen e Hysenit, ai thotë se Komuna e Gjilanit ka kaluar në kaos e monarki.







