GLPS: Qeveria Hoti ka dështuar të krijojë unitet dhe konsensus të spektrit politik

Qeveria Hoti ka dështuar të krijojë unitet brenda koalicionit dhe të spektrit politik në përgjithësi. Ndër tjera, ky ekzekutiv ka numrin më të madh të zëvendësministrave në 13 vjetët e fundit.

Kështu po vlerëson Grupi për Studime, Juridike dhe Politike në raportin për 100 ditët e para të udhëheqjes së Qeverisë Hoti.

Drejtoresha ekzekutive, Arbëresha Loxha tha se përkundër faktit që LDK në fushatë zgjedhore pati premtuar një qeveri të vogël me 12 ministri, e njëjta ka përfunduar duke dyfishuar numrin e zëvendësministrave.

“Me emërimin e 46 zëvendësministrave ne vlerësojmë se është qeveria e dytë me numrin më të madh në 13 vitet e fundit në Kosovë. Kabineti i qeverisë Hoti karakterizohet me pabarazi të madhe gjinore, në 16 ministri ka vetëm 3 ministre dhe zëvendësministre vetëm 8”, tha Loxha.

Sipas saj kjo qeveri ende nuk ka ofruar asnjë perspektivë të reformave.

“GLPS vlerëson se nuk ka pasur asnjë iniciativë serioze për çkapjen e institucioneve të drejtësisë. Nuk kemi pse ne të hartojmë reformë të drejtësisë, ku subjekt i reformës do të jenë krerët e drejtësisë. Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të zvogëluar shpenzimet”, ka shtuar Loxha.

Ndërsa, menaxherja e programeve të GLPS-së, Njomza Arifi tha se qeveria aktuale ka dështuar të bëjë testime për qytetarët për COVID-19.

“Dialogu është shoqëruar me mungesë të transparencës, edhe nga ato në Bruksel por edhe në Uashington qeveria Hoti ka dështuar të krijojë unitet dhe konsensus të spektrit politik. Ministria e Punëve te Jashtme ka kryer praktikat e dobëta diplomatike në interes të partive në pushtet”, tha ajo.