Bashkimi Evropian

GLPS: Miratimi i propozimit të KE-së heq motivin e serbëve për t’u pajisur me pasaporta kosovare

Grupi për Studime Juridike dhe Politike po e kundërshton propozimin i Komisionit Evropian për përfshirjen e pasaportave të Zyrës Koordinuese të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në liberalizim të vizave. Derisa kohët e fundit është rritur motivi i serbëve të Kosovës për të marrë pasaporta kosovare, sipas GLPS-së, miratimi i një propozimi të tillë e largon këtë motiv.

Komisioni Evropian këtë të enjte u ka propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian t’i heqë vizat mbajtësve të pasaportave serbe që lëshohen nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme kryesisht për serbët e Kosovës.

Në këto pasaporta, vendbanimet e Kosovës figurojnë si vendbanime të Serbisë.

Një vit pasi Kosova e shpalli pavarësinë, BE-ja ia bëri kusht Serbisë që liberalizimi i vizave të vlejë vetëm për pasaportat e zakonshme të saj, çka u reflektua më pas edhe në legjislacionin evropian.

“Për personat që banojnë në Kosovë siç përcaktohet nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 10 qershor 1999 (ndryshe UNSCR 1244) dhe personat me certifikatë shtetësie të lëshuar nga territori i Kosovës (UNSCR 1244), një Zyrë Koordinuese në Beograd do të jetë kompetente për marrjen e aplikimeve të pasaportave dhe lëshimin e pasaportave”, thuhet në pikën 4 të KE-së (1244/2009) – 30 nëntor 2009.

E propozimi më i ri i KE-së, sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, pavarësisht se mund t’i shërbejë lëvizjes së lirë, ua heq motivin serbëve për t’u integruar në nivelin më bazik të mundshëm – atë të të qenit qytetarë të Kosovës.

Ky do të ishte një momentum shumë i mirë që të ushtrohet edhe më shumë presion te ata qytetarë që ende nuk janë pajisur me dokumente zyrtare që ta bënin një gjë të tillë. Edhe të vijë ky propozim në një moment të tillë kur ekziston parakushti dhe dëshira ndoshta – sepse të njëjtët do të stimuloheshin që të aplikonin për dokumente të Kosovës – një propozim i tillë e dëmton këtë opsion dhe realisht këtë mundësi për integrim institucional të qytetarëve serbë”, ka thënë Arbresha Loxha – Stublla – drejtoreshë e GLPS-së .

Sidoqoftë, propozimi i Komisionit Evropian është që BE-ja t’i njohë këto dokumente udhëtimi, duke u thirrur në pohimin që ata që i mbajnë pasaportat e Zyra Koordinuese të Serbisë do të diskriminoheshin nga 1 janari 2024, kur do të hiqen vizat për shtetasit e Kosovës.

“Me hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për ata që zotërojnë pasaporta të Kosovës, Komisioni konsideron që arsyet e përjashtimit të mbajtësve të pasaportave të lëshuara nga Zyra Koordinuese Serbe nga liberalizimi i vizave nuk ekziston, dhe se të gjithë shtetasit e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të përfitojnë nga liberalizimi i vizave në Zonën Schengen” thuhet në propozimin për amendamentim të rregullores (EU) 2018/1806 – 16 nëntor 2023.

Burimet e KOHËS kanë thënë se janë mijëra persona në veri që nuk kanë fare dokumente të Kosovës.

Mediat serbe kanë raportuar se organizatat serbe të shoqërisë civile në veri e kanë përkrahur propozimin, duke thënë se jo të gjithë serbët sidomos në veri e kanë mundësinë të pajisen me dokumente të Kosovës.

Burime në MPB-në e Kosovës kanë thënë se pjesën më të madhe të atyre që s’janë pajisur me pasaporta kosovare e përbëjnë veteranët e luftërave në Bosnjë e Kroaci që nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë që e kanë për t’u natyralizuar.