Glauk Konjufca: Këto janë pesë arsyet pse Vetëvendosja duhet të qeverisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një intervistë në emisionin Pressing në televizionin T7, ka numëruar pesë arsye se pse duhet LVV’ja të jetë në qeveri.

Konjufca ka thënë se arsyeja e parë është fakti që Kosovës i duhet një qeverisje social-demokratike e të koncentrohet në kushtet e punëtorëve, prodhimtarinë vendore e në pacientë e nxënës.

“Arsyeja e parë është programatiko –konceptuale, koha momenti i fundit që Kosovës i duhet një qeverisje social-demokratike, duke u koncentruar në punëtorë që kanë kushte të rënda, në papunësi, në forcimin e prodhimtarisë vendore, të koncentrohemi te pacienti e nxënësi” tha deputeti i LVV’së.

Ndërsa, ai tha se arsyeja e dytë është fakti që tashmë partia së cilës i takon e ka krijuar identitetin e partisë e cila nuk do të korruptohet.

“Vetëvendosja tashmë e ka krijuar identitetin e partisë të pakorruptuar e pa hipoteka” tha Konjufca, duke shtuar se partisë i është dhënë rasti në komuna, e sa kanë udhëhequr komunat, kanë qenë të qëndrueshëm.

“Rasti i është dhënë VV’së me qeverisë, VV e ka një lloj konsistence në të cilën jo të gjithë mund të jenë konform, nuk mundesh ta fajsosh VV-n për çka ka bërë dikush, kushdo që lodhet ose korruptohet e len VV’në, kjo nuk është minus por plus për ne.” tha Konjufca.

Ndërsa për Konjufcën, arsyeja e tretë është fakti që tashmë qytetarët e shohin Vetëvendosjen si shpresë të vetme.

“Ajo që po e mban VV’në si shpresë e vazhdueshme për qytetarët. Vetëvendosja ende është caku ku qytetarët e vendosin shpresën” tha ai.

E katërta arsye sipas deputetit të LVV’së është fakti që Vetëvendosja “nuk ka qenë kurrë në pushtet”.

E të pestën arsye, Konjufca e konsideron vetë liderin e partisë, Albin Kurti.

“Arsyeja e pestë është Albin Kurti, jo vetëm si individ, por ai është i mishëruar me VV’në, sepse është personaliteti i tij e konsistenca e tij që nuk është dorëzu e ka bërë sakrifica për Kosovën. E kjo vlerësohet prej popullit të Kosovës.” Tha Konjufca duke shtuar se “ nga 2017 deri 2019, nuk ka bërë gabime të cilat do të ishin kosto, siç ka bërë kryeministri i deritanishëm i kosovës me plot skandale”.

loading…