Glauk Konjufca i kërkon falje Gazetës Blic: Akuza ime nuk ishte e drejtë

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një statusi në “Facebook” i ka kërkuar falje drejtuesëve të GazetaBlic pas akuzave të bëra një javë më parë.

Sipas Konjufcës, akuza e tij për sponzorime dhe keqpërdorime ndaj këtij mediumi nuk është e drejtë.

Lexoni statusin e plotë të Konjufcës në “Facebook”:

Në kohën e fundit ka jashtëzakonisht shumë lajme të rreme e shtrembërime të qëllimshme të deklaratave të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe në mesin e këtyre sulmeve isha edhe unë.

Një e tillë ndodhi edhe kur tërësisht në mënyrë të pasaktë ishte raportuar gjerësisht nga shumë mediume se gjoja unë iu paskam përgjigjur Ambasadës së SHBA’ve me fjalë arrogante ndaj paralajmërimit të tyre të zakonshëm për shtetasit e SHBA gjatë tubimit tonë festiv të mbajtur në Sheshin “Skendërbeu”.

Për mua ishte e qartë se ata që e kishin prodhuar atë lajm e kishin shtrembëruar thelbësisht mesazhin tim në një debat televiziv. Ndërkohë ky raportim ishte botuar nga shumë media të tjera që janë në një nivel shumë më të lartë të korrektësisë profesionale dhe të etikës gazetareske në vendin tonë e të cilat janë vënë në lajthitje. Një nga ato ishte edhe Gazeta Blic.

Nënvizimi im ndaj raportimit të Gazetës Blic, ishte shkas për të përcjellë kundërshtimin tim ndaj një mënyre të tillë të keqcitimit të qëllimshëm.
Ky ishte vetëm nje deformim i importuar në mënyrë jokritike.

Për shkak se reagimi im u kuptua ndryshe, dua ta shpreh keqardhjen time për akuzën e bërë, e të cilën nuk e mendoj si të drejtë për Gazetën Blic, e sidomos nga aspekti i sponsorizimit dhe akuzës për keqpërdorime.