Gjyqi për “Titanikun”, lexohen sms-të që i këmbenin Jankullovska dhe Stavrevski
Prokurorja Lile Stefanovska në seancën e sotme për rastin “Titanik” të Prokurorisë Speciale Publike për parregullsitë zgjedhore, lexoi rreth 20 sms porosi midis të akuzuarës Gordana Jankulloska dhe ish-ministrit të Financave Zoran Stevreski, në të cilat ata bisedojnë për pagesën e subvencioneve, pensioneve, denacionalizimit dhe pagave, në prag të zgjedhjeve në vitin 2011.
Në njërin prej mesazheve, Jankulloska i ankohet Stavreskit “kam një lutje në Kumanovë nuk janë paguar subvencionet dhe nëse do të kishte mundësi më shpejtë të paguhen”, në çka Stavreski është përgjigjur se “dikush duhet të kontrollojë, kam lista me subvencione që nuk kanë marrë, por mi kanë shkruar në dorë para korporatës”.
Në një mesazh tjetër, Stavreski i shkruan Jankulloskës “paguam pensione, subvencione, për qumësht, vreshta, 25 milionë për denacionalizim, për paga… rroftë FMN-ja, rroftë Maqedonia”.
Jankulloska në sms mesazh e pyet Stavreskin nëse ka “urdhërpagesa të ndaluara për kulturë” dhe nëse ka problem, në çka Stavreski është përgjigjur “jo, çdoherë ka privilegj Beti”, në çka Jankulloska ia kthen “O Zot, pikërisht urdhërpagesat për kulturë janë kyçe për zgjedhjet”.
Prokurorja Stefanovska lexoi edhe rreth 70 sms porosi mes Gordana Jankulloskës dhe këshilltarëve në MPB, Kiro Todorovski dhe Riste Stavreski nga muaji maj i vitit 2011, përmes të cilave janë dakorduar lista për punësim sipas numrit të vendvotimit, për “largimin” e komandantëve dhe policëve të cilët punojnë për kundërshtarët, por edhe për kryerjen e punëve për dënime dhe inspektime të njerëzve nga komitetet lokale.
Në fillim gjykatësi Osman Shabani, konstatoi se në sallën gjyqësore është i pranishëm edhe këshilltari teknik me propozim të mbrojtjes.