Gjyqi për terrorizëm po shtyhet që 1 vit për shkak të mungesës së dëshmitarit të vetëm

Policia s’po arrin ta gjejë dëshmitarin e vetëm të një rasti gjyqësor, ku tashmë i dënuari akuzohet Gazmend Haliti për organizim dhe pjesëmarrje në veprimtarinë e grupit terrorist ISIS. Edhe pse Gjykata qysh vitin e kaluar ka lëshuar urdhër për Policinë e Kaçanikut, dëshmitari Fitim Dema të sillet në Gjykatë për të dëshmuar, kjo sërish ka dështuar. Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, u deshtë të shtyhet seanca pikërisht për shkak se mungoi dëshmitari.

Gazmend Haliti, që aktualisht është duke e vuajtur dënimin për rastin e njohur si “Badovci”, tash po akuzohet nga Prokuroria Speciale për pjesëmarrje në veprimtarinë e grupit terrorist ISIS.

Gjykata Themelore në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ka kërkuar nga Policia e Kaçanikut që të gjendet dëshmitari Fitim Dema, por kjo nuk ndodhi. Si pasojë e mungesës së tij, seancat gjyqësore vazhdimisht po shtyhen.

Gazeta Express ka qëndruar në seancën gjyqësore të së premtes ku sërish mungoi dëshmitari.

Gjyqtari Arben Hoti tha se Gjykata i ka dërguar ftesë atij më datë 04.09.2017. Më pas edhe urdhëresë në Policinë e Kaçanikut për verifikimin e vendndodhjes së Demës.

“Në fletftesë është konstatuar se personi gjendet jashtë vendit, por ende nuk e dimë ku”, ka thënë gjyqtari, ku më pas u detyrua ta shtyjë seancën.

“Ne do të kërkojmë nga komandanti i Kaçanikut pse nuk është paraqitë personi ende”, ka thënë kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.

Fitim Dema është dëshmitari i vetëm në këtë proces gjyqësor, si dëshmitar i propozuar nga ana e Prokurorisë Speciale.

Por, në seancën e sotme nuk mungoi vetëm dëshmitari. Mungoi edhe anëtarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, për të cilën kryetari i trupit tha se është me një trajnim.

Në këtë rast gjyqësor, Prokuroria Speciale pretendon se Gazmend Haliti me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, duke shkuar në vitin 2013 në Turqi, e nga aty në Siri, ku edhe iu është bashkuar grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës, Haliti ka marrë pjesë në veprimtarinë e ISIS’it për disa muaj, duke luftuar me qëllim që ta frikësojë popullsinë dhe t’i shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Sirisë.

Prokuroria Speciale pretendon se Gazmend Haliti në shkurt të 2014’ës ka shkuar në Aeroportin “Ataturk” në Stamboll të Turqisë dhe nga aty ka fluturuar për në Aeroportin e “Rinas” në Tiranë, bashkë me bashkëluftëtarin e tij në ISIS, Betim Ibrahimaj.

Gazmend Haliti është i dënuar për terrorizëm së bashku me pesë të tjerë edhe në rastin e njohur si “Badovci”, ku u dënua me tri vjet e gjysmë burg.

Aktakuza i ngarkonte pesë të akuzuarit se në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste ISIS.

Sipas Prokurorisë, ky grup ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.