Në Gjykatën Themelore në Gjakovë të premten, e ka përfunduar mbrojtjen e tij i akuzuari Avni Morina, i cili në cilësi të drejtorit të Arsimit në Rahovec po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Morina ka mohuar se ka lejuar nënshkrimin e një deklarate mes të dëmtuarës dhe profesorit Refki Kryeziu.

“Kjo s’është e vërtetë, këtë kontratë të bërë nga këta dy ish- mësimdhënës(tani e dëmtuara Xh. dhe Refki Kryeziu), për herë të parë e kam parë gjatë procesit të hetimeve, kur jam marrë në pyetje”, tha i pandehuri Morina.

Tutje tha se procesi mësimor për vitin shkollor 2020/21 është zhvilluar në përputhje të plotë me vendimin e Qeverisë dhe në përputhje me master planin e Qeverisë, për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie.

Ai tha se me vendimin e qeverisë të datës 26 gusht 2020 ishte marrë vendim që të alokohet buxhet shtesë për komunën për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie, ku pjesa e parë është alokuar vetëm për gjysëmvjetorin e parë, ndërsa pjesa tjetër nuk është alokuar.

“Ky buxhet shtesë iu është ndarë komunave për dy arsye themelore, për dezinfektim të shkollave dhe pjesa e dytë e buxhetit të gjyshmëvjetorit të parë ka qenë e destinuar për pagesën e mësimdhënësve shtesë të angazhuar për zëvendësimin e mësimdhënësve të tjerë, të cilët kanë qenë me Covid-19 ose me sëmundje të rëndë shëndetësore”, tha i pandehuri Morina.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Morina, avokati Dardan Morina e pyeti se, a keni njohuri se e dëmtuara Xh. ka punuar gjatë fillimit të vitit 2021, i pandehuri Morina tha se po, kam njohuri.

“..mirëpo ajo ka punuar pa kontratë pune për arsye se buxheti i paraparë nga Qeveria për gjysmëvjetorin e dytë nuk u alokua, prandaj ne nuk kishim të drejtë t’i bënim kontratë pune jo vetëm të dëmtuarës Xh. por edhe të tjerëve të cilët ishin me kontrata të përkohshme, me kontrata specifike për zëvendësimin e mësimdhënësve me Covid-19 dhe me sëmundje të rënda.”, shtoi i pandehuri.

Ai ka thënë se nuk e di se si është vulosur kontrata pasi nuk ishte vullnet i tij dhe as nuk është dokument i lëshuar nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec sikurse s’ka as numër protokolli dhe as nënshkrim.

“Për mua si drejtor i Arsimit është një dokument i pavlefshëm”, ka deklaruar ai.

Tutje tha se gjatë periudhës mars-qershor 2021 nuk ka marrë shkresë zyrtare nga drejtori i shkollës për konkurs apo plotësim të vendit të lirë të punës.

Ai ka thënë se në kohën e pandemisë është kërkuar të merren veprime urgjente shkaku i mungesave të shumta.

“Është vendim i task-forcës komunale e cila është bazuar në vendim të Qeverisë dhe me këtë vendim për 4 muaj me kontrata për shërbime specifike nuk është punësuar vetëm Xh.H por edhe rreth 30 të tjerë, mësimdhënës, mirëmbajtës, të cilët kishin kontrata të tilla, gjendja ishte emergjente, kërkohej veprim emergjent”, tha i pandehuri.

Tutje, i pandehuri tha se në rrethana normale vulën e DKA-së e jep drejtori për çdo dokument që e lëshon DKA, mirëpo në rastin konkret nuk e dijë se në çfarë rrethane u vendos vula në atë deklaratë.

Paraprakisht në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues, Ilir Rashkaj bëri të ditur se në bazë të komunikimit me dëshmitarin Refki Kryeziu, i cili gjendet jashtë vendit, i njëjti nuk mund të prezantoje në seancë, ai e ka dërguar një numër kontaktues dhe i njëjti mundet të kontaktojë përmes Viber, por gjykata nuk ka një të tillë.

Për këtë, prokurorja Beqiraj-Hyseni tha se mbetet pranë mendimit nga seanca e kaluar për revokimin e aktvendimit për dëgjimin e dëshmitarit Kryeziu, pasi që i njëjti është dëgjuar pranë kësaj gjykate.

Mbrojtësi i të akuzuarit Morina, Dardan Morina tha se propozimi për dëgjimin e dëshmitarit Kryeziu ka qenë pikërisht nga Prokuroria, ndërsa propozimi për ridëgjimin e tij nga ana e mbrojtjes, ka ardhur për shkak të deklaratave kontradiktore gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Gjykata me qëllim te sigurimit të pranisë së dëshmitarit Kryeziu, edhe një herë i’u drejtua policisë në Gjakovë dhe ka kërkuar nga të njëjtit që të verifikojnë faktin nëse vërtet dëshmitari ndodhet në Kosovë apo jashtë vendit. Pas kësaj, shqyrtimi gjyqësor u ndërpre për të vazhduar pasdite.

Ky vendim u mor pas insistimit nga ana e të dëmtuarës Xh.H, se i njëjti shihet shumë shpesh në Kosovë.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Avni Morina po akuzohet se nga muaji janar-qershor të vitit 2021, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Rahovec, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xhevahire Hajda, dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që i njëjti në zyrën e tij, iu ka mundësuar Refki Kryeziut-profesor në lëndën e Edukatës Fizike në SHMTP “Selajdin Mullabazi” në Rahovec dhe të dëmtuarës së lartcekur që të nënshkruajnë një marrëveshje-deklaratë të përbashkët, të njëjtën e vërteton me vulë zyrtare.

Sipas aktakuzës, nga kjo marrëveshje ka përfituar Refki Kryeziu që të marrë pagën e plotë mujore janar-qershor, pa dalë fare në punë, po ashtu dhe shtesat për COVID-19 në shumë prej 100 euro çdo muaj. Gjatë kësaj kohe sipas kësaj marrëveshje, e dëmtuara Xhevahire Hajda, e kishte zëvendësuar të njëjtin pa përfillur procedurat ligjore për rekrutim, ashtu që pa kontratë i ka mbajtur 26 orë mësimore, duke mos figuruar fare në listën e pagave dhe për muajt janar-shkurt, nuk paguhet fare.

Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara nga muaji mars-qershor ishte paguar në mënyrë private nga profesori Refki Kryeziu.

Për këto, i pandehuri Avni Morina po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi i parë i Kodit Penal.