Gjykatësi i deritashëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Nikola Gjiu, nuk do të jetë më pjesë e DHSK’së, meqë është zgjedhur gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Specialja, përmes një njoftimi në faqen zyrtare. Sipas Kryetarës së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, largimi i Gjiu nuk nuk do të ketë ndikim në çështjet gjyqësore, të cilat thuhet se do të vazhdojnë të zhvillohen pa ndërprerje, raporton Express.
Giju u emërua gjykatës në DHSK më 7 shkurt 2017 dhe ka kryer funksionin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake çështjet gjyqësore të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, të Salih Mustafës, të Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve, të Pjetër Shala, si edhe të Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari. Ai ishte caktuar gjithashtu në funksionin e Gjykatësit të Vetëm në çështjen kundër z. Isni Kilaj.
“Kryetarja e DHSK-së, Gjykatëse Ekaterina Trendafilova – e cila gjithashtu ka qenë gjykatëse në GJPN përpara se të emërohej në DHSK – e përgëzoi gjykatësin Giju dhe theksoi se zgjedhja e tij është “pasqyrim i përkushtimit të palëkundur të gjykatësit Giju në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare, që e ka demonstruar tashmë me dedikimin e tij të jashtëzakonshëm në DHSK, si Gjykatës i Procedurës Paraprake ose Gjykatës i Vetëm në të gjitha çështjet gjyqësore që janë aktualisht para kësaj gjykate”.
Kryetare Trendafilova shtoi se, ndonëse DHSK-ja do të humbasë një gjykatës dhe koleg të çmuar kur gjykatësi Giju të fillojë punën si gjykatës në GJPN, kjo nuk do të ketë ndikim në çështjet gjyqësore para DHSK-së, të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen pa ndërprerje”, thuhet në njoftim.







