Tri lëndë të reja pritet të dorëzohen në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, siç është paralajmëruar tashmë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media pas dështimit të seancës konstituive të enjten, ka paralajmëruar se partia do të dorëzojë sot një lëndë të re.

“Sot ju njoftoj se tashmë pasi kanë ndodhur 3 shkelje të reja radhazi të Kushtetutës në kundërshtim me aktgjykimin e funti të Gjykatës Kushtetuese, sot gjatë ditës PDK-ja do të dorëzojë pranë Gjykatës Kushtetuese një rast të ri, për të cilin shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do ta trajtojë me urgjencën e nevojshme, meqenëse tashmë i kemi edhe 23 ditë deri në përmbylljen e afatit për konstituimin e Kuvendit” – tha ai, transmeton Nacionale.

Në anën tjetër, edhe LDK ka paralajmëruar se do t’i drejtohet së shpejti Gjykatës Kushtetuese.

Deri në fund të javës, kjo parti do të kërkojë sqarime shtesë lidhur me faktin që nuk po zbatohet aktgjykimi i kësaj gjykate, i nxjerrë pak ditë më parë.

Lajmin për Nacionalen e ka bërë të ditur Shkëmb Manaj, anëtar i kryesisë së LDK-së. Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet ta qartësojë që kryesuesi i seancës nuk ka të drejtë të dalë nga rendi i ditës.

“Do ta dërgojmë në Kushtetuese një kërkesë, që ka të bëjë me moszbatimin e aktgjykimit që e ka dhënë Gjykata. Do të kërkojmë që Gjykata të qartësojë se kryesuesi i seancës nuk ka të drejtë të dalë nga rendi i ditës. Poashtu do të kërkojmë që disa prej gjërave që janë në arsyetim të aktgjykimit, të vendosen në dispozitiv” – ka thënë ai.

Ndërkohë, Mimoza Kusari-Lila e VV-së të martën deklaroi se “duhet një adresim i Kushtuetueses edhe në lidhje me mospjesëmarrjen në votim nga partitë opozitare”.

Kështu ajo shtoi se po përgatiten që t’i drejtohen Gjykatës:

“Nuk e kemi leximin e njejtë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues, është e qartë që jo që ka sqaruar, por ka komplikuar rethanat një interpretim i tillë, ndërsa synimi i tretë është e mëse e domosdoshme edhe një adresim i gjykatës në situatën aktuale tashmë në mospjesëmarrjen në votim nga partitë opozitare. Votimi në seancë është obligim. Ne po e përgatisim që t’i drejtohemi gjykatës për mosvotimin e deputetëve opozitare për mos pjesëmarrje në votim”.

Theksojmë se javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese pasditen e së enjtes doli me vendim pas kërkesës së opozitës për sqarim lidhur me votimin e fshehtë, ku mes tjerash, subjektet politike janë obliguar për 30 ditë ta konstituojnë Kuvendit, ndonëse nuk sqarohet se çka ndodhë më tutje.

As sot nuk është arritur ndonjë pajtueshmëri mes partive politike për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje për të tretën herë me radhë refuzoi zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues.

Kjo është hera e 41-të që dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës.