Gjykata Themelore e Gjilanit dënon komandantin e stacionit policor të Novobërdës

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj komandantit të stacionit policor në Novobërdë, me afat prej gjashtë muajsh burgim.

“I pandehuri me datë 02.09.2017 në cilësinë e personit zyrtar ‘Komandat i Stacionit Policor në Novobërdë’, ka pranuar dhuratë drunj për ngrohje në sasi prej pesë metrash kub, në këmbim për mos zbulimin e vjedhjes së pyllit nga personi”, shkruan në komunikatën e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

“Gjithashtu i akuzuari me datë 22 dhe 23.07.2017 përmes telefonit komunikon me personin I. D., dhe nga i njëjti mëson se posedon një armë pa leje, e cila gjatë bastisjes është sekuestruar tek personi I. D. Po ashtu i akuzuari ka qenë në dijeni se i pandehuri në fjalë është duke mbajtur në bashkësi jashtëmartesore personin nën 16 vjeç dhe nuk ndërmerr veprime, por i jep udhëzime që të ketë kujdes deri sa të mbush moshën 16 vjeçare”.

“Gjykata pas shqyrtimit të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shqiptuar një dënim unik për këto dy vepra, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afat prej një viti nëse nuk kryen vepër tjetër penale, gjithashtu ka shqiptuar edhe një dënim me gjobë në shumën prej 1500 eurosh”.