Sami Lushtaku

Gjykata Supreme ia vërteton dënimin Sami Lushtakut

Gjykata Supreme e Kosovës i ka vërtetuar dënimin për arratisjen nga “Burgu i Dubravës” ish kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Lushtaku ishte gjetur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës, gjatë kohës kur po mbante dënimin prej 12 viteve për krime lufte në rastin “Drenica”.

Ai me vendimin e Gjykatës së Prishtinës në prillin e vitit 2020 ishte dënuar me 12 mijë euro gjobë.

Pak muaj më vonë, ky dënim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit përderisa përfundimisht për të vendosi edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës.

Të tre instancat e gjyqësorit e gjeten anëtarin e Partisë Demokratike të Kosovës fajtor dhe dënimin me gjobë prej 12 mijë euro e konsideruan adekuat në rastin e tij.

Më 21 gusht 2015, Sami Lushtaku kishte qëndruar për rreth 9 orë i pashoqëruar nga oficerët korrektues dhe ishte arratisur nga Burgu i Dubravës për në shtëpinë e tij në lagjen Dragodan në Prishtinë.

Të njëjtin veprim është vërtetuar se e kishte bërë edhe më 22 shtator të vitit 2015 kur për rreth 3 orë e gjysmë kishte qëndruar i pashoqëruar nga stafi korrektues.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, i cili e ka refuzuar kërkesën e Sami Lushtakut si të pabazuar, asnjëri nga pretendimet e mbrojtjes së Sami Lushtakut nuk është i bazuar dhe se është vendosur drejtë kur është konstatuar se i njëjti është fajtorë për arratisjen nga “Burgu i Dubravës”. /kallxo.com/.