Gjykata Speciale nis hetimet për dosjet e dërguara në zyrët e OVL’së së UÇK’së

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me anë të një njoftimi për media ka bërë të ditur se aktualisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është duke e hetuar çështjen për dërgimin e dokumenteve në Organizatën e Veteranëve të UÇK’së.

PSRK, përmes një komunikate për media thotë se ka pranuar pyetje të shumta nga mediat lidhur me hetimin rreth dërgimit të dokumenteve në Organizatën e Veteranëve të UÇK’së, të cilat dokumente potencialisht ndërlidhen me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

PSRK bën të ditur se aktualisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është duke e hetuar këtë çështje. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është e gatshme të asistojë, nëse diçka e tillë kërkohet.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton publikun që zbulimi i paautorizuar i dokumenteve konfidenciale ose informacionit lidhur me dëshmitarët e mbrojtur nënkupton shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe mund të jetë e dënueshme me dënim me burgim.

Kujtojmë që ditë më parë një person me syze, kapelë dhe maskë ishte futur në zyrat e OVL’së së UÇK’së, duke lënë mbi 4 mijë dosje që lidhen me Gjykatën Speciale.