Gjykata Speciale i raporton UNMIK-ut, jo Kosovës

Gjykata Speciale nuk ka asnjë detyrim ndaj Kosovës. Ndonëse është krijuar me miratimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Specialja nuk i raporton shtetit, por UNMIK-ut e Bashkimit Evropian.

Në raportin e UNMIK-ut të përgatitur për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, i cili u mbajt dje, Gjykata Speciale i raporton Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) për aktivitetet e saj.

Për këtë kanë reaguar edhe dy ish-zëvendësministra të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Teuta Sahatqija e Muhamet Brajshori.

“Raporti i UNMIK-ut pat ekstraktin e Gjykatës Speciale, gjykatë kjo e themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe i cili do të duhej të diskutohej aty e jo në Këshillin e Sigurimit. Fatkeqësisht kjo çështje kaloi pa u vërejtë nga ana jonë”, ka shkruar Sahatqija në Facebook.

Ndërsa ish-zëvendësministri Muhamet Brajshori, në Twitter ka shkruar se Kuvendi i Kosovës duhet të adresojë këtë çështje.

“Gjykata Speciale është themeluar nën Kushtetutën e Kosovës dhe jo nga Rezoluta 1244. Kështu, ajo nuk ka vend në raportin e UNMIK-ut. Gjykata Speciale është kundërshtari më brutal i shtetësisë së Kosovës sot”, ka shkruar ai.

Më 3 gusht të vitit 2015, me shumicë votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kishin votuar ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale. Pas një seance të gjatë, 82 deputetë kishin votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale, pesë kishin qenë kundër, ndërsa një kishte abstenuar.