Gjykata ruse dënon ish gazetarin me 22 vjet burgim për tradhti

Një gjykatë në Rusi e ka dënuar me 22 vjet burgim ish gazetarin Ivan Safronov për tradhti kombëtare.

Dënimin pritet që ai ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.

Mbrojtja e të dënuarit ka 10 ditë për t’u ankuar ndaj këtij vendimi para se të bëhet i plotfuqishëm.

Safronov u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) në korrik të vitit 2020 pasi u akuzua për mbledhjen e të dhënave konfidenciale shtetërore në lidhje me zhvillimet ushtarake dhe teknike të Rusisë me pretendimin se ato ia dorëzoi NATO-s.

Detajet e rastit nuk u publikuan zyrtarisht, pasi çështja u trajtua me dyer të mbyllura për shkak të ashpërsisë së akuzave.

Avokatët e Safronov thanë javën e kaluar se prokurori i ofroi gazetarit një pranim fajësie në këmbim të një dënimi të reduktuar prej 12 vjetësh, të cilin ai e refuzoi.