Gjykata pakistaneze

Gjykata pakistaneze liron vëllanë që pranoi vrasjen e motrës së famshme për çështje nderi

Vëllai i Qandeel Baloch, pakistanezes së njohur në mediat sociale që u vra për “çnderim” të familjes, është liruar nga Gjykata e Apelit në Pakistan, tre vjet pasi u dënua.

Vrasja e Baloch në vitin 2016 ndezi një protestë kombëtare dhe nxiti ndryshime në të ashtuquajturat ligjet e vendit për ‘vrasjen e nderit’.

Avokati i Waseem Baloch, Sardar Mehmood, konfirmoi lirimin për CNN, por nuk dha detaje të mëtejshme. Një urdhër gjykate nuk është bërë ende publik.

Waseem Baloch u arrestua brenda disa ditësh pas vrasjes. Ai rrëfeu në video se kishte vrarë motrën 25-vjeçare në shtëpinë e saj familjare në qytetin Multan në provincën Punjab të Pakistanit. Edhe pse e pranoi më herët, ai u deklarua i pafajshëm në gjykatë dhe në vitin 2019 u dënua me burgim të përjetshëm.

Të ashtuquajturat ‘vrasje nderi’ të Pakistanit zakonisht përfshijnë vrasjen e një gruaje nga një i afërm i cili beson se ajo ka turpëruar familjen. Në kohën e vrasjes së Qandeel Baloch, ligji i Pakistanit lejonte që familja viktimës të falte një vrasës të dënuar.

Aktivistët e të drejtave kishin frikë se ky ligj do të përdorej për të shpëtuar Waseem Baloch.

Tre muaj pas vdekjes së Qandeel Baloch, ligjvënësit pakistanez iu përgjigjën protestës publike dhe miratuan legjislacionin kundër praktikës së diskutueshme, një vendim historik i mirëpritur nga aktivistët e të drejtave dhe avokatët.

Por lirimi i Waseem Baloch ka zemëruar sërish aktivistët e të drejtave të grave në Pakistan.

Qandeel Baloch fitoi famë në Pakistanin konservator dhe patriarkal prej postimeve të saj të guximshme dhe gjithnjë e më shumë politike në mediat sociale.

Në postime të ndryshme me miliona pëlqime dhe video të shpërndara në të gjithë internetin, ajo bënte modele flokësh dhe ndante rrëfimet për dashuritë e saj me të famshmit.

Qandeel e quante veten një “feministe moderne” dhe kishte rreth 750,000 ndjekës në Facebook. Por në Pakistan, ajo i shkeli kufijtë e asaj që konsiderohet e pranueshme.

Në një video rrëfimi, Waseem Baloch tha se ishte “krenar” për vrasjen e motrës së tij, duke shtuar se ishte shtyrë më shumë nga fakti që miqtë e tij shpërndanin fotot dhe videot e saj në internet, gjë që nuk mundi ta duronte.

“Fillimisht e drogova, pastaj e vrava”, tha ai. “Vajzat lindin për të qëndruar në shtëpi dhe për të ndjekur traditat. Motra ime nuk e bëri kurrë këtë.”