Gjykata në Serbi fton Mustafën pse përdori flamurin kombëtar

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, ka njoftuar të premten se ka pranuar një ftesë nga Gjykata në Bujanoc, si i paditur, për “shkelje të përdorimit të stemës, flamurit dhe himnit të Serbisë”, pasi kishte vendosur më 28 nëntor të vitit të shkuar flamurin kombëtar në selinë e Këshillit që ai udhëheq.

Në një postim në Facebook, Mustafa ka thënë se kjo padi është e motivuar politikisht. Ai ka thënë se ftesa shfaqet “pas shmangies së ballafaqimit të Ministrit Mbrojtjes Republikës së Serbisë, z. Aleksandër Vullin me padinë e ngritur nga unë, për përdorim të gjuhës nënçmuese, fyese, gjuhës së urrejtjes, gjuhës kriminalizuese e denigruese kundrejt shqiptarëve”.

“Sado që do të besosh në paanësinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor e prokurorial, duket megjithatë e çuditshme se si po përputhen këto dy raste, së paku në kuptimin kalendarik”, ka shkruar ai.

Mustafa ka thënë se me ligjin për të cilin ai pretendohet të ketë shkelur, dënimi është nga 50 mijë deri 500 mijë dinarë.

Tutje ai ka kujtuar se Kushtetuta e Serbisë ua lejon pakicave kombëtare të përdorin simbolet në vendet publike.

“Pra, në vend se t’i shtypë shqiptarët në emër të shtetit ligjor, Serbia ta respektoj Kushtetutën e saj dhe të filloj demokratizimin e saj duke u shkëputur nga politikat diskriminuese ndaj minoriteteve. Të çlirohet nga politikat shtypëse duke e ndryshuar Ligjin për përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale, për ta përputhur me Kushtetutën e saj dhe standardet demokratike. Përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi kanë me i përdorur simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi i Millosheviqit, nuk do të mundet as ky”, ka thënë ai.

“Serbia nuk mund ta përzgjedh flamurin e shtetasve të saj shqiptar. Atë e përzgjedhin vetë shqiptarët! Ky ligj është flamur i shtypjes! Ky flamur është ligj i barazisë! Prandaj ligji do të ndryshojë, jo flamuri!” ka përfunduar Mustafa.