Pejë

Gjykata merr vendim për të miturin nga Peja që u arrestua për terrorizëm

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të miturin B.M. nga Peja, që u arrestua të shtunën.

Në njoftimin e Themelores bëhet e ditur se i mituri po dyshohet për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit B.M, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit B.M dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh”, vijon njoftimi.

Gjatë ditës u raportua se i dyshuari është i moshës së mitur, i cili planifikonte vrasjen e shokëve të klasës së tij.