Gjykata Themelore

Gjykata merr vendim ndaj katër të dyshuarve për fajde

Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur për caktimin e masës së sigurisë kundër katër të dyshuarve për veprën penale “Fajdeja”.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për personat me inicialet J.K, dhe M.K, M.M dhe K.I.

“Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë”, thuhet në komunikatën për media.

Gjykata ka vendosur që tre të pandehurve: J.K., M.K., M.M., të iu caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë.

Ndërkaq, sa i përket të pandehurit K.I., i është caktuar masë e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.