9 mars 2018

Gjykata liron të dyshuarit, kush i vrau dy vëllezërit në Malishevë?

Mesnatën e 9 marsit 2018 në rrethana ende të paqarta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku u vranë në oborrin e tyre. Për këtë rast, policia arrestoi dy kushërinjtë e tyre. Njëri u akuzua për vrasje, e tjetri për armëmbajtje pa leje. Por pas më shumë se një viti, Gjykata e Gjakovës, e liroi Besim Malokun nga akuza për vrasjen e dy kushërinjve të tij. Tefë Maloku, babai i të vrarëve u revoltua kur dëgjoi aktgjykimin duke akuzuar se gjyqtarëve u janë dhënë para.

“Më kanë lanë pa djem. M’i kanë vra të dy djemtë. Marri, bre Zoti e qitë fare gjyqtarin e prokurorin”, këto ishin fjalët e para të Tefë Malokut, babait të Shani e Bahri Malokut, të cilët në mesnatën e 9 marsit të vitit 2018, u vranë në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Plloqicë të Komunës së Malishevës.

Këtë veprim Tafa e bëri të enjten pasi e dëgjoi vendimin e trupit gjykues në Gjakovë, të cilët e liruan Besim Malokun nga akuza për vrasjen e kushërinjve të tij.

Babai i dy djemve të vrarë, i ka quajtur “serbë” gjyqtarët kosovarë pas shqiptimit të vendimit duke thënë se janë ndikuar nga të dyshuarit për këtë vendim.

“Millosha. Mi kanë vra të dy djemtë, po a janë normalë këta. Këtu veç paret kanë lu rol. Dy djemtë me t’i vra e me i lëshu gjinen. Me ti vra djemtë në oborr e me i lëshu a ka ma zi. Kanë shti pare, një besë të Zotit po ta dha”, është deklaruar prindi i viktimave.

Por çka kishte pretenduar Prokuroria e Shtetit për gjithë këtë rast?

Pretendimet e Prokurorisë ishin se dorasit u futën për të vjedhur në shtëpinë e Malokëve, ndërsa pasi u vërejtën ata qëlluan pronarët e shtëpisë gjatë arratisjes.

Pas hetimeve për vrasjen Prokuroria ngriti aktakuzë me arsyetimet se motivi i vrasjes ishte tentativa për të vjedhur.

Viktimat Bahri dhe Shani Maloku, sipas Prokurorisë, në natën kritike po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi. Dy vëllezërit e akuzuar asnjë herë nuk e pranuan fajësinë për vrasjen, ndërsa pranuan se kishin armë pa leje.

Aktakuza shpjegonte se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku plumbat kishin qëlluar në cak dhe dy vëllezërit mbetën të vdekur.

Versionet e familjarëve të të ndjerëve dhe të dyshuarve

Gazeta Express në vazhdimësi e ka përcjellë këtë rast. Në familjen e të dyshuarve, gruaja e njërit nga të dyshuarit Blerim Malokut 49-vjecar kishte thënë se bashkëshorti i saj në natën kritike kishte qenë në shtëpi, andaj ajo thotë se ai nuk ka pasur mundësi që ta kryejë këtë akt.

“Unë burrin e kam pas te shpia, jemi çu në mëngjes, e ka pi kafen. Veç ka dalë me shiku burri im çizme, kështu si unë, se mbajmë dele, ka dalë me i kqyrë fëmijët se përse u kthyn nga shkolla, ata kanë thënë që kanë ardhë shumë policë dhe kur ka dalë aty e kanë arrestu”, thoshte gruaja e Blerim Malokut.

E tragjedia në familjen Maloku ishte shoqëruar me mjaftë reagime publike pasi njëri nga vëllezërit ishte pjesëtarë i FSK-së, ndërsa në varrim morën krerët e shtetit.

Pas vendimit të sotëm të gjykatës, vrasja e vëllezërve Maloku hy në mesin e dosjeve ku prokuroria e shtetit nuk arriti të zbuloj dorasin e krimit ndërsa personat e arrestuar lirohen të pafajshëm.

Ndryshe shpallja e aktgjykimit të sotëm është kryer në masa të rrepta të sigurisë për shkak të tensioneve në mes dy familjeve tensione këto që ishin vërejtur edhe gjatë procesit gjyqësor.

E aktgjykimi lidhur me këtë rast ende nuk është bërë publik nga ana e organeve kompetente.

loading…