Gjykata Kushtetuese shënon 10-vjetorin e punës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kremton jubileun e dhjetë të vitit gjyqësor me një ceremoni solemne, që do të organizohet sot në sallën “Beethoven” të hotelit “Emerald” në Prishtinë.

Ceremonia do të fillojë në orën 17:00 dhe në të do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, përfaqësuesit e akredituar të misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në vend, si dhe delegacionet e nivelit më të lartë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese e Kroacisë, Gjykata Kushtetuese e Turqisë, Gjykata Kushtetuese e Republikës Çeke, Gjykata Kushtetuese e Portugalisë, Gjykata Kushtetuese e Luksemburgut dhe Gjykata Kushtetuese e Maltës.

Pjesëmarrës në ceremoninë e përvjetorit jubilar të Gjykatës Kushtetuese do të jetë edhe juristja me nam ndërkombëtar dhe njëherësh përfaqësuesja e Republikës së Irlandës në Komisionin e Venecias, Grainne McMorrow, si dhe drejtori për çështje ndërkombëtare i Shoqërisë Federale Amerikane për Studime të Ligjit dhe të Politikave Publike, Jim Kelly.

Me fjalim rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni do t’i drejtohen kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, përfaqësuesja e Republikës së Irlandës në Komisionin e Venecias, Grainne McMorrow dhe ish-gjyqtarja ndërkombëtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Snezhana Botusharova.

Po ashtu, në shënim të 10-vjetorit të punës së Gjykatës Kushtetuese, nesër me fillim në orën 10:00, do të mbahet konferenca ndërkombëtare në temën: “Sigurimi i sundimit të ligjit dhe i të drejtave të njeriut përmes mekanizmave të drejtësisë kushtetuese: Sfidat e shekullit 21”.

loading…