Gjykata Komerciale nis zyrtarisht punën, merr lëndët e para

Gjykata Komerciale ka filluar punën edhe zyrtarisht. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se kjo Gjykatë ka nisur të pranojë lëndët e para të martën.

“Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ju dëshiron punë të mbarë gjyqtarëve dhe stafit mbështetës të Gjykatës Komerciale, dhe ri thekson përkushtimin për të vazhduar me mbështetjen e nevojshme për funksionalizimin e plotë të kësaj gjykate”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.

Gjykata Komerciale u miratua në këtë fillim vit në Kuvendin e Kosovës. Edhe qeveritë e mëhershme kishin planifikuar krijimin e një Gjykate të tillë, përmes së cilës synohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve në fushën e biznesit.

Gjykata Komerciale është kompetente për të gjykuar dhe ka juridiksion ekskluziv për të gjykuar, në Dhomat e shkallës së parë dhe Dhomat e shkallës së dytë, kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, kontestet në mes të institucioneve publike dhe subjekteve private, si dhe kontestet në mes të personave juridikë vendorë dhe të huaj, në lidhje me çështjet e ndërsjella tregtare.

Vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë personat fizikë dhe juridikë. Gjykata publikon të gjitha aktgjykimet në faqen e saj zyrtare të internetit, në afat prej 60 ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.