Gjykata ia ndalon mjekut të arrestuar t’i afrohet QKUK-së

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka ndaluar mjekut Bekim Ademi t’i afrohet Qendrës Klinike Universitare pas arrestimit nën dyshimin se kishte hapur histori të rreme për ish-kryetarin e Kllokotit në mënyrë që t’ia mundësonte shmangjen nga gjyqi, ka njoftuar avokati i tij Kujtim Kërveshi.

Sipas Kërveshit, Themelorja ka vendosur që Ademi të mos i lejohet t’u afrohet objektit dhe personave të caktuar. Sipas tij, s’ka pengesë që Ademi megjithatë të vazhdojë me ofrimin e shërbimeve jashtë objektit të QKUK-së.

“Ne presim që Prokuroria Speciale t’i grumbullojë shpejtë provat që i nevojiten dhe kështu Dr. Ademi të ketë mundësi të vazhdojë t’ju shërbejë pacientëve në objektin e SQKUK duke e zbardhur plotësisht rastin në fjalë. Deri më tani, procedimi i çështjes ka qenë i shpejtë si nga Prokurori Special ashtu edhe nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka njoftuar Kërveshi në Facebook.

Ademi u arrestua të enjten nën dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.