Gjykata ia ndalon ish-prokurorit Ali Rexha t’i afrohet prokurorit special, Lulzim Sulejmanit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim në lidhje me ish-prokurorin Ali Rexha, pasi dyshohet se ka kërcënuar verbalisht prokurorin special, Lulzim Sulejmanin.

Në njoftimin për media thuhet se me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të njëjtit i është caktuar masa Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, pra prokurorit Sulejmani si dhe ndërtesës së Këshillit Prokurorial, në afërsi prej 200 metra.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit dhe të pandehurit A.R i ka caktuar masën e sigurisë Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, ashtu që të pandehurit A.R i ndalohet që t’i afrohet L.S si dhe ndërtesës së Këshillit Prokurorial, në afërsi prej 200 metra”, thuhet në njoftimin për media.

Kjo masë, sipas këtij aktvendimi, do të zgjasë një muaj, duke filluar nga data 21.07.2022 deri me datë 20.08.2022.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.