Gjykata gjermane: Qeveria ruse përmes shërbimit inteligjentë urdhëroi vrasjen e çeçenit në Berlin

Vadim Krasikov dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Zelimkhan Khangoshvili në Berlin në vitin 2019.

Një gjykatë gjermane ka dënuar Vadim Krasikov me burgim të përjetshëm për vrasjen e planifikuar të disidentit çeçen me urdhër të autoriteteve ruse.

 Disidenti çeçen që kishte fituar azil në Berlin, Zelimkhan “Tornike” Khangoshvili, një shtetas gjeorgjian 40-vjeçar që luftoi kundër Rusisë gjatë luftës së dytë çeçene në fillim të viteve 2000, u qëllua dy herë në kokë nga një distancë e afërt në parkun Kleiner Tiergarten në Berlinin qendror në gusht të vitit 2019.

Vrasja shkaktoi zemërim në Gjermani dhe bëri që qeveria të dëbonte dy diplomatë rusë.

Vendimi ka të ngjarë të tensionojë edhe më tej marrëdhëniet diplomatike ruso-gjermane dhe do të vijë si testi i parë për qeverinë e re gjermane të kancelarit Olaf Scholz dhe ministren e saj të jashtme, Annalena Baerbock.

Një shtetas rus, i cili u ndalua pranë vendit të ngjarjes pasi u pa duke hedhur një biçikletë dhe një armë në lumin Spree, mbante dokumente vize që e identifikonin atë si 49-vjeçarin Vadim Andreevich Sokolov, lindur në Irkutsk, Siberi dhe me qendër në Shën Petersburg.

Megjithatë, një hetim nga grupi i inteligjencës  e identifikoi të dyshuarin si 56-vjeçarin Vadim Nikolaevich Krasikov, i cili kishte udhëtuar në Gjermani me një identitet të rremë.

Një tjetër dëshmitar, e identifikoi atë si Vadim Nikolaevich Krasikov në tetor të këtij viti. Në paraqitjen e tij të parë, i njëjti dëshmitar kishte refuzuar të identifikonte të akuzuarin, por më vonë kërkoi që të ftohej përsëri, duke deklaruar frikën se do të ishte në shënjestër nga inteligjenca ruse.

Krasikov mohoi çdo lidhje me shtetin rus dhe FSB-së, agjencia  kryesore e intelegjencës ruse. Avokatët e tij mbrojtës pretenduan se ai ishte viktimë e identitetit të gabuar.

Por të mërkurën gjykata rajonale e Berlinit tha se shërbimet inteligjente ruse të sigurisë i dhanë 56-vjeçarit Krasikov një identitet të rremë, pasaportë false dhe para për ta kryer punën.

“Më së voni në qershor 2019, organet shtetërore të qeverisë qendrore të Federatës Ruse morën vendimin për likuidimin e Tornike Khangoshvili në Berlin. Katër fëmijë humbën babanë e tyre, dy vëllezërit e motrat vëllain e tyre”, tha gjykatësi.

“Disa media sugjeruan se Rusia apo edhe Vladimir Putin janë në gjyq këtu”, shtoi ai. “Kjo është mashtruese: vetëm i dënuari është në stol. Por detyra jonë përfshin marrjen parasysh të rrethanave të krimit”.

Gjykatësi po ashtu tha se “Krasikov mbante përgjegjësi veçanërisht të rëndë” për vrasjen  nuk ka të drejtën e lirimit automatik me kusht pas 15 vjetësh, siç është zakon në Gjermani.

Vendimi korrespondon me kërkesat e prokurorit federal të Gjermanisë, i cili kishte marrë përsipër çështjen në funksion të rëndësisë së tij të shtuar politike. Në aktakuzë, prokurorët akuzuan Rusinë se urdhëroi vrasjen “në kundërshtim radikal të parimeve të sundimit të ligjit”.

Ata pretenduan se Krasikov udhëtoi për në Berlin me pseudonimin e tij për një “vrasje me kontratë shtetërore” dhe qëlloi viktimën nga pas me një pistoletë të pajisur me silenciator pranë parkut Kleiner Tiergarten. 

Me Khangoshvilin të shtrirë në tokë, Krasikov dyshohet se ka qëlluar dy plumba të tjerë në kokën e tij.

Familjarët e viktimës, të cilët sipas ligjit gjerman u lejuan të merrnin pjesë në gjyq si bashkë-paditës, akuzuan Rusinë javën e kaluar se po përpiqej t’iu “dërgonte një mesazh” armiqve të saj politikë duke vrarë Khangoshvili, i cili kishte kërkuar azil në Gjermani tre vjet më parë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka hedhur poshtë Khangoshvilin si një “bandit” dhe një “terrorist” që kishte vrarë shumë njerëz gjatë luftimeve në Kaukaz. /Ballkani.info/