Gjykata Themelore

Gjykata e Prishtinës tash e tri ditë pa ujë, paralajmëron ndërprerje të punës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar të enjten se tash e tri ditë radhazi është duke u përballë me mungesë të ujit. 

Sipas tyre, kjo gjendje ka vështirësuar dhe rënduar gjendjen higjienike në objektet e Pallatit Drejtësisë, e po ashtu vë në rrezik shëndetin e gjyqtarëve, stafit administrative.

“…të cilët pavarësisht kësaj gjendje të rëndë e cila është duke mbizotëruar në tërë objektin e gjykatës, të njëjtit janë duke vazhduar të punojnë”, thuhet në komunikatën për media.

Përmes një reagimi, Gjykata ka kërkuar nga autoritetet kompetente si Kompania Rajonale e Ujësjellësit “KRU Prishtina” dhe Ministria e Punëve të Brendshme – Divizioni për Menaxhimin e Ndërtesave, që të angazhohen në zgjidhjen e kësaj çështjeje e të marrin masa të menjëhershme për të furnizuar me ujë objektin e kësaj gjykate.

Në të kundërtën thuhet se do të shqyrtohet seriozisht mundësia e ndërprerjes së punës, me qëllim të parandalimit të përhapjes së ndonjë epidemie eventuale.