Prishtinë

Gjykata e Apelit anulon dënimin e inspektorëve të qeverisjes së Isa Mustafës

Rreth 8 muaj pasi Gjykata Themelore e Prishtinës, e kishte gjetur fajtor dhe dënuar 10 ish-inspektor të ndërtimit të Komunës së Prishtinës dhe një biznesmenin, Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin dënues dhe gjithë procesin e ka kthyer në pikën fillestare.

Vendimi i marrë nga gjykatësit Xhevdet Abazi,Avdulla Ahmeti dhe Fillim Skorro ka aprovuar ankesat e të akuzuarve Ismet Haliti, Skënder Canolli, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj, Drita Rukiqi, Vebih Abdullahu dhe Qemail Pozhegu, duke anuluar në tërësi aktgjykimin e shkallës së parë.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e Gjykatës së Apelit në lidhje me këtë rast dhe arsyet që sollën vendimin e Apelit për anulim të aktgjykimit.

Deri te ky vendim Gjykata e Apelit ka ardhur pasi ka gjetur se aktgjykimi përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“Gjykata e Apelit, konstaton se aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1 pika 1.12 të KPPRK-së ngase diapozitivi është i pa qartë për arsye se është në kundërshtim me arsyetimin e tij”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Sipas këtij aktvendimi prokuroria i ka akuzuar Ismet Halitin, Skënder Canollin, Blerina Sylën, Vehbi Abdullahun, Blerim Ibishin, Ardian Muhadrin, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqin për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi në grup kriminal dhe në dispozitiv të aktgjykimit të gjithë të akuzuarit e lartcekur janë shpallur fajtor, gjerësa në arsyetimin e aktgjykimit në faqe 107 gjykata e shkallës së parë, thotë se për këtë vepër penale nga provat e administruara nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë vepruar si grup i organizuar duke arsyetuar faktin se pse nuk janë përmbushur elementet e kësaj vepre penale.

“Pra, nga kjo del konstatimi se edhe pse në arsyetim ekziston se të akuzuarit e lartcekur nuk janë shpallur fajtor, në dispozitiv janë shpallur fajtor. Pra nga kjo del konstatimi se edhe pse në arsyetim ekziston se të akuzuarit e lartëcekur nuk janë shpallur fajtor në dispozitiv janë shpallur fajtor, pra ekziston kontradikta mes dispozitivit dhe arsyetimit të aktgjykimit te ankimuar”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte gjetur fajtor dhe dënuar të akuzuarit e këtij rasti.

Ismet Haliti ishte dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burg për keqpërdorim detyre dhe 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Skender Canolli ishte dënuar me dy vjet e 6 muaj për keqpërdorim detyre dhe 1 mijë euro për armëmbajtje pa leje.

Blerina Syla, Vehbi Avdullahu. Mërgim Shala e Blerim Ibishi ishin dënuar me nga dy vjet burg, ndërsa Arbenita Ajeti e Drita Rukiqi me nga 1 vjet e gjashtë muaj. Granit Cenës e Ardian Muhadrit iu shqiptuan nga një vit burg.

Ismet Halitit e Skender Canollit iu konfiskua nga një veturë, ndërsa Mërgim Shalës një banesë.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendonte se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në pretendimet e Prokurorisë Speciale të Kosovës.