Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e tij ndaj ministrit në detyrë, Faton Peci.
Pacolli ka deklaruar se gjykata e ka detyruar Pecin që ta kompensojë për dëmin jomaterial të shkaktuar, sipas tij, nga deklaratat e bëra ndaj tij në rrjete sociale dhe në disa emisione televizive në nëntor të vitit 2024.
“Për mua, ky rast nuk ka qenë dhe nuk është çështje parash. Është çështje e së vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë për fjalën publike”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka theksuar se kritika është pjesë e jetës publike, por sipas tij, shpifja dhe fyerja janë diçka tjetër.
Pacolli ka thënë se kishte zgjedhur që ndaj deklaratave të Pecit të përgjigjej përmes institucioneve dhe rrugës ligjore.
“Do të vazhdoj të mbroj emrin dhe dinjitetin tim me fakte dhe përmes institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Pacolli.







