Gjuriq: Prishtina vazhdon të bëjë pengesa në furnizim me mallra për serbët në veri

Situata me furnizimin e serbëve në veri të Kosovës me produktet ushqimore bazë është ende shumë e vështirë, pasi Prishtina vazhdon të parandalojë dorëzimin e mallrave serbe në të gjitha mënyrat, tha sot i ashtuquajturi drejtori i zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

“Më së shumti do të doja të them se furnizimi i qytetarëve tanë në veri të Kosovës është normalizuar, por druaj se për shkak të këmbënguljes kokëfortë të Prishtinës për taksat e mallrave nga Serbia, situata nuk do të jetë normale edhe për një kohë. Prishtina vazhdon ta vështirësojë atë, por ne jemi duke ia arritur disi”, tha Gjuriqi, transmeton ksp.

Biznesmenët nga veriu i Kosovës, të cilët furnizohen me mallra nga Serbia, javën e kaluar, në marrëveshje me pronarët e dyqaneve, organizuan një protestë paralajmërimi dyditore duke i mbyllur të gjitha dyqanet ushqimore.

Prishtina zyrtare akuzoi Beogradin se dëshiron të inskenojë krizë humanitare duke mbyllur dyqanet. Ndërkohë, produktet ushqimore serbe përsëri u shfaqën në dyqanet në veri të Kosovës, dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka shfaqur shpresë se Serbia në ditët e ardhshme do të përmirësojë situatën me furnizime.

loading…