Drejtori i zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriq ka thënë se Rada Trajkoviq duke folur sot për N1 në mënyrë më të drejtpërdrejtë e ka akuzuar shtetin serb për terrorizëm shtetëror dhe vrasje të Oliver Ivanoviqit.
Ai ka kërkuar që të konstatohet se a është duke folur ajo të vërtetën, gjegjësisht cilat prova ajo i disponon për këto “pretendime të rrezikshme dhe të paturpshme”, duke shtuar se nëse nuk flet të vërtetën duhet konstatuar se a ka në këtë “përhapje të panikut” elemente të përgjegjësisë juridike.
“Në botën civilizuese duhet të ketë përgjegjësi për fjalët e thëna publikisht, dhe liria e shprehjes nuk nënkupton edhe të drejtën që pa asnjë konsekuencë të shpifni për këdo të doni”, ka theksuar Gjuriq në kumtesë.
Gjuriq thotë se personalisht nuk mendon se ky sulm ndaj shtetit dhe përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike të tij është akt i urrejtjes patologjike e Rada Trajkoviqit ndaj shtetit të saj, edhe pse me siguri është edhe kjo.
“Mirëpo, gjithçka tregon në atë se Rada Trajkoviq është vetëm një nga pjesëmarrëseve të fushatës së organizimit të rrënimit të autoritetit të shtetit dhe institucioneve të tij, dhe konsideroj që me qëllim të ruajtjes së stabilitetit shoqëror, është e nevojshme të konstatohet se me cilin motiv ajo po merr pjesë në këtë fushatë dhe kush është porositësi dhe iniciuesi i saj”, pretendon Gjuriq.
Ai ka kërkuar nga organet kompetente t’i hetojnë pretendimet e Rada Trajkoviqit dhe natyrën e marrëdhënieve të saja me institucionet e Kosovës si dhe me diplomatët e huaj me të cilët ajo i mbanë kontakte të rregullta.







