Provokime

Gjuriq i quan provokime deklaratat e Haradinajt për Trepçën dhe Ujmanin

Deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj për Trepçën dhe Ujmanin, po shihen si provokim nga drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka quajtur provokime deklaratat e kreut të ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj për Trepçën dhe Ujmanin.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Haradinaj, në mediat kroate kishte deklaruar se Trepça dhe Ujamni janë pasuri dhe burime të Kosovës dhe se këto burime nuk i takojnë asnjë shteti tjetër, transmeton lajmi.net.

Haradinaj po ashtu kishte thënë se Kosova në asnjë mënyrë nuk do të heq dorë nga këto pasuri të saj.

E kjo deklaratë e Haradinajt ka ngjallur reagime në spektrin politik në Serbi.

Marko Gjuriq, ka thënë se Ramush Haradinaj nuk mund të jap përgjegjësi për Trepçën dhe Ujmanin, pasi që sipas tij, këto dy pasuri nuk i përkasin atij.

“Haradinaj nuk mund të heqë dorë nga diçka që nuk i përket atij. Duhet të theksoj për të gjithë ata që nuk e dinë, Trepça në veri ka punuar me sukses, ka mbi 3 mijë të punësuar, është duke kontribuuar dhe ajo do ta vazhdojë punën”, ka thënë Gjuriq, transmeton lajmi.net.

Ai po ashtu ka deklaruar se gjatë ditës së nesërme do të mbahet një mbledhje e përbashkët në Beograd me përfaqësuesit serbë të Kosovës.

Sipas tij, kjo mbledhje do të mbahet me kërkesën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për mbështetjen e serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Pres që pakoja ndihmëse për popullin serb që jetojnë në Kosovë të plotësohet dhe kjo pako të miratohet në mbledhjen e nesërme të qeverisë”, deklaroi Gjuriq, i cili shtoi se kjo pako ndihësme për serbët e Kosovës do të mundësoj jetesë më të mirë të serbëve duke investuar në rrugë, shkolla, spitale e qendra klinike, transmeton lajmi.net.

Ai u shpreh i bindur se Serbia do të bëjë gjithçka që serbët që jetojnë në Kosovë ta ndjejnë veten si në Serbi, kështu duke i mbështetur ata me ndihmë të ndryshme.

“Jam i lumtur, dhe krenar që ka një mbështetje të tillë për popullin tonë në Kosovë”, u shpreh Gjuriq.

Ai po ashtu ka thënë se, presidenti serbe, Aleksandar Vuçiq, po përdor çdo mundësi, nëpër çdo takim me krerët e botës për të vënë në dukje të drejtën ndërkombëtare dhe dëshirën e Serbisë për të gjetur një kompromis me Kosovën.