Gjuriq: Disa njerëz janë nervozë dhe nuk duan që në Këshillin e Sigurimit të flitet për Kosovën

Marko Gjuriq ka deklaruar se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “paraqet një platformë të rëndësishme”, për debat në lidhje me Kosovën.

I ashtuquajturi drejtor për Kosovë i qeverisë serbe, Marko Gjuriq ka deklaruar se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “paraqet një platformë të rëndësishme”, për debat në lidhje me Kosovën, dhe se për këtë “disa njerëz janë nervozë dhe nuk duan që atje të flitet për këtë temë”.

Duke folur për takimet e sotme të udhëheqjes serbe me zëvendës ndihmësin e sekretarit të përgjithshëm të SHBA Matthew Palmer, Gjuriq ka thënë se “është shumë me rëndësi që Serbia është vend i cili nuk e ka luksin të bisedojë vetëm me vendet të cilat pajtohen me të, por edhe me ata të cilët kanë qëndrimet ndryshe”.

Në pyetje për “deklaratat e kundërthënëse” të përfaqësuesve të KFOR-it mbi atë se a kanë qenë të njoftuar për aksionin e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, Gjuriq ka thënë se “deklaratat e tyre tregojnë se politika e tyre nuk është neutrale”.

“Prej njerëzve në Kosovë, shpesh dëgjoj se ata nuk kanë besim në veprimtarinë e KFOR-it”, ka thënë Gjuriq.