Mali i Zi

Gjukanoviq s’e përjashton rikthimin: Do të jem person aktiv politik

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në politikë, pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale malazeze, më 2 prill, kundrejt Jakov Milatoviqit, dhe pas dorëheqjes së tij prej kreut të Partisë Socialiste të Demokratëve (DPS).

Në një intervistë për “RTV Sllovenia”, Gjukanoviq tha se i duhet që të vazhdojë që të luftojë që në të ardhmen Mali i Zi të bëjë zgjedhje të duhura.

“Unë do të jem person aktiv politik, jam qytetar i përgjegjshëm i Malit të Zi”, tha ai.

Sipas Gjukanoviqit, Mali i Zi ka ndaluar reformat në rrugën drejt Bashkimit Evropian në tri vitet e fundit.

“Kur shikoni atë që kemi përjetuar në tre vitet e fundit, kur shikoni pengimin e Malit të Zi pas ndryshimit të qeverisë në mesin e vitit 2020, mund të arrini në një përfundim tjetër – ndoshta mund të nxirrni përfundimin se ne shkuam më shpejt se sa ishte realiste dhe e mundur”.

Ndërkaq, ish-presidenti malazez, ka qenë kritikë ndaj partive që e rrëzuan DPS-në nga pushteti tri vjet më parë, madje ai konsideroi ato “si një rrezik për Malin e Zi dhe identitetin e tij”.

“Kjo qeveri u shërben interesave politike të Beogradit, pra i shërben interesave të Serbisë së Madhe në Mal të Zi, që është zgjerim i interesave perandorake ruse në këtë pjesë të Evropës dhe në përgjithësi në Evropë. Kisha Ortodokse Serbe është instrumenti më i fortë për veprimi ndërkufitar i ideologjisë serbe të madhe”.

Siç thotë Gjukanoviç, malazezët e kuptojnë çdo ditë se tre vitet e fundit me krizën e re të shumicës, politike dhe institucionale, “janë gabim”.

Ai paralajmëron “ftohje” nga reformat në Mal të Zi, “e cila është edhe pasojë e qëndrimit të Bashkimit Evropian”.

Sipas tij, kjo ndryshoi me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, kështu që vlerëson ai “kjo është një mundësi e rëndësishme edhe për Malin e Zi”.

“Në këto zona, ose do të fitojë e ardhmja evropiane, ose ne do të vazhdojmë të endemi përgjatë rrugëve ballkanike të udhëhequr nga nacionalizmi i shtetit të madh, ndryshimet e kufijve dhe shërbimi pa kurriz për interesat anti-evropiane”, beson ai.