Gjukanoviq refuzon propozimin për mandatarin e ri, e çon vendin në zgjedhje

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ia ka dërguar të shtunën kryetares së Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, kërkesën për shpërbërjen e legjislaturës aktuale të parlamentit.

Gjukanoviq ka refuzuar të mandatojë për kryeministër Miodrag Lekiqin, të propozuarin nga shumica parlamentare e dalë nga zgjedhjet e vitit 2020.

Në shpjegimin e tij, Gjukanoviq deklaroi se pas konsultimeve për mandatarin e ri, ai nuk “ka pasur përshtypjen se ekziston një shumicë e qartë që do të ishte në gjendje të formonte një qeveri që do të ofronte zgjidhje për probleme shumë të vështira në në nivel financiar, ekonomik, juridik, institucional dhe politik”.

Shumica parlamentare e dalë nga zgjedhjet e vitit 2020 vlerësoi në një konferencë për media dy ditë më parë se është arritur marrëveshja për mandatarin e ri të qeverisë së Malit të Zi.

Propozimin e Lekiqit për kryeministër e mbështeti edhe partia qytetare URA, e udhëhequr nga Dritan Abazoviq, i rrëzuar nga pushteti më 20 gusht.

Qeveria e Dritan Abazoviçit, u rrëzua pasi parlamenti votoi në favor të mocionit të mosbesimit ndaj saj, që u ndërmor pasi kabineti votoi pro-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe.