Gjukanoviq: Nga Beogradi, as Serbi e madhe e as Shqipëri e madhe, por një tragjedi e madhe

Presidenti malazez, Millo Gjukanoviq tha se Serbia ishte “duke punuar tepër fort në dëm të saj” dhe shtoi se fryma e urrejtjes nga Mali i Zi dhe gjithçka malazeze ishte lëshuar, e cila tha se është arsyeja pse marrëdhëniet midis dy vendeve janë në nivelin më të ulët të mundshëm sot.

“Serbia po punon jashtëzakonisht shumë në dëm të saj. Nuk ka nevojë të provohet se, unë kam qenë një aktor në jetën politike për 30 vjet, kam ndjekur vitet 1990, planin Z-4 të ofruar për Kroacinë, planet e ofruara për Bosnjën, atë për Kosovën. E gjithë kjo u refuzua me arrogancë, vrazhdësi dhe nxitim, dhe e gjitha përfundoi në humbje serioze për Serbinë dhe për ata që ishin krijuesit e një politike të tillë në Serbi”, tha Gjukanoviq.

Sipas tij, ajo që u bë nga Beogradi zyrtar në vitet 1990 në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, po bëhet sot ndaj Malit të Zi.

“Këtë ua thashë bashkëbiseduesve të mi në Beograd me rastin e Ligjit mbi Fenë. U thashë se mbaj mend vitet 1990, se atëherë kishte disa njerëz, më duket, me një kalibër politik më serioz se sot. Ata më pas lëshuan atë frymë urrejtjeje dhe nuk mund ta kontrollonin më. Sot përsëritet i njëjti gabim, mbillet urrejtje ndaj Malit të Zi dhe gjithçkaje që është malazeze. Kjo do të përkeqësojë në mënyrë të pariparueshme marrëdhëniet midis dy vendeve tona”, argumentoi Gjukanoviq.

Ai shtoi se kjo tani mund të shihet “përmes fushatës së furishme që po zhvillohet nga Serbia për zgjedhjet lokale në qytetin e dytë më të madh në Mal të Zi, Nikshiq”.

“Ne nuk patëm një Serbi të madhe, as një Shqipëri të madhe, as një Kroaci të madhe, por patëm një tragjedi të madhe, me më shumë se 130,000 viktima. Ajo politikë u mund, por nuk u varros dhe tani ajo po përpiqet të ringjallet”, tha Gjukanoviq.

Ai shtoi se kjo frymë nacionaliste, shoviniste jeton në besimin se ata humbën në vitet 1990 sepse rrethanat ndërkombëtare nuk ishin të favorshme për ta, kështu që sot ata po përpiqen të bëjnë atë që nuk arritën të bënin atëherë.

Sipas prezidentit malazez, për shkak të krizave të ndryshme që kanë ndodhur në botë, bashkësia ndërkombëtare ka lënë Ballkanin Perëndimor si një ‘biznes të papërfunduar”.

“Ajo ka lënë Bosnjën jofunksionale, të paralizuar Maqedoninë (Veriore), çështjen e pazgjidhur të Serbisë dhe Kosovës. Ideja e shovinistëve tani është që Mali i Zi të largohet nga NATO, të bëjë kompromis dhe të kthehet në prehrin e Serbisë,” tha Gjukanoviq.