Gjukanoviq e kundërshton Abazoviqin për “Ballkanin e Hapur”

Para se të vijë për vizitë zyrtare në Kosovë, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, qëndroi për vizitë zyrtare në Gjermani.

Atje me presidentin Frank Walter-Steinmeier, bisedoi për shumë tema, e mes tyre edhe për perspektivën e vendeve të Ballkanit perëndimor për integrime evropiane.

Me agresionin e Rusisë mbi Ukrainën, Steinmeier dhe Gjukanoviq janë pajtuar se shumë gjëra kanë ndryshuar, raporton RTKlive.

“Thelbi është pashmangshmëria e perspektivës evropiane dhe kur kjo thelb mjegullohet, atëherë, natyrisht, hapet hapësira për ndikim të mëtejshëm të palëve të treta, të cilat fatkeqësisht vijnë nga platforma anti-evropiane”, tha Gjukanoviq.

Gjukanoviq citohet të ketë thënë se Procesi i Berlinit është shumë plotësues me politikën e zgjerimit të BE-së, deklarim me të cilin është pajtuar presidenti Steinmeier.

Më vonë, në intervistë për mediat gjermane, të transmetuara nga televizioni Publik i Malit të Zi (RTCG), Gjukanoviq citohet të ketë thënë se nuk është i shqetësuar për mbështetjen për Ballkanin e Hapur, por sipas tij, procesi i Berlinit nuk ka alternativë.

Ai është pyetur nëse ai ishte i shqetësuar për reagimet e kryeministrit Dritan Abazoviq për mbështetjen për projektin e Ballkanit të Hapur, Gjukanoviq ka thënë se ata kishin pikëpamje të ndryshme për nismën dhe, siç e kishte thënë vazhdimisht, e shihnin atë si një lloj kopje të Procesit të Berlinit.

“Procesi i Berlinit bazohet në standardet evropiane dhe është plotësues i procesit të anëtarësimit. Pra, gjithçka që bëjmë përmes Procesit të Berlinit, ne punojmë për arritjen e standardeve që do të na kualifikojnë për anëtarësim në finale”, citohet të ketë thënë Gjukanoviq.

“Open Balkans apo Ballkani i Hapur është një iniciativë e përgatitur si një alternativë ndaj anëtarësimit. Nuk mendoj se kemi nevojë për një alternativë, ne kemi nevojë për anëtarësim, besoj se me pjesëmarrjen e plotë në procesin e Berlinit do t’i japim vetes një shtysë të mirë në atë rrugë dhe se Mali i Zi do të vlerësojë avantazhin që kemi ndërtuar në të kaluarën dhe të bëhet shteti i parë i ardhshëm anëtar i BE-së”, ka thënë presidenti i Malit të Zi në këtë intervistë.

Ai ka thënë se Ballkani perëndimor ka nevojë për një mesazh, që është evropian, por duhet që vetëm Evropa të konfirmojë atë që ka thënë gjatë 30 viteve të fundit, duke realizuar valët e ndryshme të zgjerimit.