Gjukanoviq: Ballkani kërcënohet nga lufta hibride ruse, Mali i Zi përballet me nacionalistët serbë për të zbatuar ‘Serbinë e Madhe’

Presidenti malazez, Milo Gjukanoviq ka folur për mediat e huaja para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ai ka pohuar se Mali i Zi po përballet me problemet e nacionalistëve serbë për të zbatuar projektin e “Serbisë së Madhe”, raporton newsweek.

“Koncepti i “Botës Serbe” është vetëm një kopje e “Botës Ruse” në Ballkan. Nacionalistët serbë supozojnë se Mali i Zi është pjesë e projektit të tyre historik”, tha i pari i shtetit malazez.

Ai më tutje deklaroi se Rusia nuk ka mundur të na ndalë në rrugën tonë drejt NATO-s dhe nuk kanë reshtur së destabilizuari vendin tonë, duke shpresuar se në realizimin e këtij misioni mund të destabilizojnë Aleancën.

“Meqenëse Moska dhe Beogradi nuk arritën në këto zgjedhje presidenciale të shtyjnë kandidatin që e mbështetin në raundin e dytë, ata e kanë zhvendosur fokusin te kandidati me një ideologji të ngjashme, një ideologji që fsheh synimet e tij pas një narrative të lehtë populiste. Mbështetja që ai merr nga qarqet e nacionalistëve të Serbisë së Madhe tregon prirjet e tij të vërteta politike”, shtoi Gjukanoviq.

Ndryshe, raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale malazeze do të mbahet të dielën, ku Gjukanoviq do të përballet me Jakov Milatoviqin.