Gjuajtje me armë zjarri në një aheng, sekuestrohet një armë me 27 fishekë në Suharekë

Në një aheng familjar që po organizohej gjatë ditës së shtunë në fshatin Duhel të Suharekës, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Sipas njoftimit të policisë, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një armë kallashnikov me një karikator dhe 27 fishekë të po kësaj arme. Krahas kësaj janë konfiskuar si dëshmi materiale edhe katër gëzhoja që dyshohet se janë gjuajtur nga kjo armë.

Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt hetimore, teksa policia rajonale në Prizren ka apeluar qytetarët që të mos përdorin armë gjatë festave, si dhe të ruajnë rendin dhe qetësinë publike.